Akil Gjakova me IPPON për medaljen e artë në Grand Prix Budapest

Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ka arritur edhe një tjetër sukses të madh në karrierën e tij.

Sport

13/07/2019 17:42

Gjakova doli fitues dhe siguroi medalje të artë, në Grand Prix Budapest, turne në të cilin garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, shkruan lajmi.net.

Akili e kaloi raundin e parë të kësaj gare pa kundërshtar, për tu përballur në raundin e dytë me kanadezin Constantin Gabun.

Kosovari ishte shumë i fortë për kanadezin, duke arritur që ta mposhtë me IPPON atë, duke nisur kështu me ‘këmbë të mbarë’ këtë Grand Prix.

Rrugëtimi i Gjakovës vazhdoi kundër zviceranit Nils Stump, të cilin pas një gare të fortë, arriti ta mposhte për të kaluar në çerekfinale, aty ku e priste japonezi Masashi Ebinuma.

Gjakova edhe në këtë luftë u shfaq në formë të mirë, duke shfrytëzuar një vendosje jo të mirë të kundërshtarit, për ta përplasur në tokë, për një fitore me IPPON, e cila i siguroi gjysmëfinalen.

Akili mbajti formë të mirë edhe në gjysmëfinale ku përballë kishte xhudistin nga Uzbekistani, Khikmatillokh Turev, duke shënuar fitore të rëndësishme.

Në finale, i udhëhequri nga Driton Kuka u përball me rusin Georgii Elbakiev, i cili gjithashtu doli të mos jetë pengesë e madhe për Akil Gjakovën, i cili fitoi finalen me IPPON dhe siguroi medalje të artë për vetën dhe Kosovën.

Ky është një tjetër sukses i madh i Akil Gjakovës, Driton Kukës dhe xhudos kosovare. /Lajmi.net/