AKI po i kryen me shumë sukses detyrat e veta në mbrojtje të sigurisë kombëtare!

Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), edhe pse si institucion i ri i themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ka arritur me sukses të kryejë detyrat e veta në mbrojtje të sigurisë kombëtare, të integritetit territorial, rendit kushtetues dhe të sigurisë globale në dëm të Kosovës. 

Lajme

21/08/2014 10:35

Lajmi.net ka mësuar se Agjencia Kosovare e Inteligjencës është institucioni që më sukses ka arritur të parandalojë edhe akte terroriste dhe të krimit të organizuar, dhe se për këtë Kosova ka marrë përgëzime edhe nga disa agjenci perëndimore shumë të rëndësishme për sigurinë globale.

“Pra Kosova tashmë e ka Agjencinë e Inteligjencës të konsoliduar dhe kryen me sukses detyrat e saj, përfshi këtu edhe luftën kundër terrorizmit. Shërbimi ynë inteligjent gjatë këtyre viteve në vazhdimësi ka mbledhur e përpunuar informacione dhe më pas ua ka dhënë institucioneve përgjegjëse për të marrë vendime në parandalimin e veprave të ndryshme kriminale, përfshi këtu edhe akte terroriste”, ka thënë një burim i lartë i qeverisë, me kusht anonimiteti.

Shërbimi Inteligjent i Kosovës, sipas këtij burimi, ka tashmë agjentët e vet në vendet në rajon dhe më gjerë, të cilët punojnë në dekonspirimin e kërcënimeve reale në raport me sigurinë e përgjithshme kombëtare.

I pyetur nëse ka njohur se një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë së Inteligjencës është dekonspiruar dhe ekzekutuar në luftën e Sirisë, para një viti, ku kishte shkuar për të marrë nga afër informata për rrjetin e shtetasve të Kosovës që kishin shkuar për të luftuar atje, ky burim nuk e ka pohuar dhe as mohuar vrasjen e tij, duke thënë se AKI-ja është institucion i pavarur me mision shumë të rëndësishme, por edhe të veçantë, dhe se për punën e vet mbi sigurinë kombëtare i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës.