AKI jep llogari në Kuvend
Drejtues të AKI’së raportuan sot para Komisionit Parlamentar për punën e tyre. U diskutua për një sërë problemesh me të cilat u ballafaqua ditëve të fundit kjo agjenci. Anëtarë të këtij komisioni u dakorduan se AKI mund të bëjë më shumë në fushën e sigurisë.
Lajme
Komisionit Parlamentar për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, nuk është i kënaqur edhe aq shumë nga puna e kësaj agjencie.
Anëtarë të këtij komisioni kanë thirr sot drejtuesit e AKI’së për të raportuar për punën e tyre.
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për AKI, Fadil Demaku, ka thënë se gjatë takimit të sotëm kanë folur për një sërë çështjesh që, sipas tij, ishte diskutuar në opinion kohëve të fundit.
“Është diskutuar rreth disa çështjeve që është folur në një emision në ‘Kohavision’ si nxjerrja e disa pyetësorëve në kohën kur është bërë rekrutimi i stafit. Pastaj është diskutuar edhe rreth një problemi me një përfaqësues të portalit informativ ‘Indeksonline’ si dhe dy çështje të cilat i ka bërë të njohura për opinionin gazeta ‘Koha Ditore’ rreth dy kompanive që kanë punuar në objektet rajonale të AKI’së”.
Demaku gjithashtu ka bërë të ditur se ky komision do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet relevante lidhur me skandalin e kompanive që kishin kryer punimet në disa objekte rajonale të AKI’së.
“Ne si komision kemi kërkuar që pavarësisht faktit se të gjitha procedurat e tenderimit i kryen ministria përkatëse, kompanitë është dashur ti nënshtrohen kritereve të ndryshme, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e punës që është bërë. Nga ajo që është kemi parë, është konstatuar se këtyre kompanive nuk i është bërë verifikimi paraprak”.
“Ne do të bëjmë presionin e duhur që aq sa na lejon ligji të kërkojmë përgjegjësi për çështjen në fjalë”.
“Kryetari i AKI’së, Bashkim Smakaj, ka gjëra më të rëndësishme për të bërë sesa të merret me çështjen e tenderëve”.
Sipas tij, anëtarët e këtij komisioni vlerësojnë se AKI mund të punojë më shumë në sigurinë e vendit.
“Unë mendoj se AKI duhet dhe mund të bëjë shumë më tepër për sigurinë e vendit”.