AKB kundër ndryshimit të ligjit për tatimin në vlerën e shtuar

Përfaqësues të Aleancës Kosovare të Biznesit kanë thënë sot se ndryshimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) nuk i favorizon prodhuesit vendor. Sipas tyre, ndryshimet e parapara në këtë projektligj do të favorizojnë importuesit e produkteve të gatshme. Po ashtu, me propozimet e Qeverisë për përshkallëzimin e TVSH-së do të pësojë konsumatori, u tha në konferencë të organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit(AKB).

Lajme

05/06/2015 16:41

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një analizë me përllogaritje të rritjes së TVSH-së prej 16 në 18 për qind. Duke bërë prezantimin e kësaj analize sipas tyre ky ndryshim do të ketë efekt në buxhet për 66.4 milionë, ndërsa zbritja për produktet bazike nga 16 në 8 për qind është përllogaritur të jetë 30 milionë euro.

Si rezultat i kësaj analize, ata i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të mos rritet TVSH-ja nga 16 në 18 për qind.

Duke dashur të shpjegojë se sa ndikon keq te prodhuesit vendorë ky ndryshim i ligjit, sipas Sylejman Konushevcit, me ligjin e ri, prodhuesit vendor duhet të paguajnë më shumë lëndën e parë sesa që në treg shiten produktet e importuara.

“Ky përshkallëzim i TVSH-së jo që ka ndodh shembull të na favorizon neve si kompani po ky shkallëzim i TVSH-së, ne si kompani po edhe disa të tjera kompani që merën me këtë lami të njëjtë na e ka 4 fishuar TVSH-në…Një prodhim mund të them që vjen nga Serbia produkt i imi vaji, ai vjen e paguan 8 centë, ndërsa nëse unë lëndën e parë e importoj prej ku do qoftë paguaj 29.8 për qind.”, ka thënë Konushevci.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se qeveria nuk i ka marrë në konsideratë vërejtët e komunitetit të biznesit dhe qytetarët. Ai ka shtuar se zbritja e TVSH-së për 13 produkte nuk mund të ketë ndikim sikurse tek 100 mijë produktet tjera që hynë në TVSH-në me rritje nga 16 në 18 për qind.

“Pak a shumë nuk ka marrë në konsideratë vërejtjet e bizneseve të qytetarëve e që kjo konsiderohet si një vërejtje e rëndë për Qeverinë e Kosovës… Rritja e TVSH-së në 100 mijë artikuj të tjerë do të varfëroj edhe më tutje shportën e qytetarit, konsumatorit dhe kjo do të jetë një ngarkesë për vet bizneset”, ka thënë ai.

Projektligji për përshkallëzimin e TVSH-së më 28 maj të këtij viti është aprovuar në lexim të dytë në Kuvend e Qeveria parasheh që ky projekt ligj të hyj në fuqi më 1 korrik të këtij viti.