Akademiku kundër Akademisë

Për heqjen e logos në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit “mendjet e mëdha nuk mendojnë njësoj”. Akademia e Kosovës tha se kjo gjë dëmton bazën e shtetit. Por, Akademik Nexhat Daci ka tjetër mendim.

Lajme

07/09/2013 08:34

Mendjet e mëdha mendojnë njësoj?

Në rastin e Kosovës, jo gjithmonë del e saktë kjo teori e moçme.

Lideri i LDD’së, Nexhat Daci, ka thënë se Kosova nuk është dëmtuar me heqjen e logos nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ashtu siç konstatoi një ditë më parë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në një intervistë për Epokën e Re, Nexhat Daci, i cili është edhe anëtar i ASHAK, ka përkrahur vendimin e KQZ’së për heqjen e logos.

“Teorikisht po them se nuk është dashur të hiqet, por praktikisht duhet mbështetur.”

“E kam mbështetur procesin në Bruksel. E mbështes edhe zbatimin e marrëveshjeve. Në kuadër të kësaj është edhe mbajtja e zgjedhjeve.”

“Në fund të këtij procesi, Kosova do të fitojë.”

“Është një realitet, i cili në instancën e fundit i ndihmon qytetarët e Kosovës dhe e ndihmon shtrirjen e shtetit dhe të pushtetit në tërë territorin.”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovë, të premten, doli me një kumtesë me të cilën theksoi se heqja e logos mund të dëmtojë bazën e shtetit të Kosovës.