Akademia i flet Europës

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës thotë se po ndjek me brengosje ngjarjet e fundit në Kosovë. E konsideron të papranueshme tendencën e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për devijimin e zgjidhjeve të ofruara në Propozimin e Ahtisaarit.

Lajme

06/09/2013 12:31

Reagimi i rrallë i këtij institucioni vjen përmes një deklarata, me 17 pika.

“ASHAK-u konsideron se shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është krijuar mbi bazën e të drejtës legjitime që buron nga vullneti i popullit të saj për vetëvendosje”.

“ ASHAK-u kërkon që të mos dëmtohen bazat e shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, nga një proces i kompromisit ndërkombëtar”.

“ASHAK-u gjykon tendencën e Serbisë për të shkelur parimet që janë vendosur në themel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“ ASHAK-u kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës ta mbrojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”.

“ ASHAK-u tërheq vërejtjen për qëndrimet e njëanshme të Bashkësisë Ndërkombëtare gjatë bisedimeve me Serbinë karshi Kosovës”.

“ ASHAK-u kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga presionet e vazhdueshme ndaj Kosovës për bërjen e kompromiseve të reja, përfshirë këtu edhe çështjen e përdorimit të simboleve shtetërore, elemente këto që mund të dëmtojnë bazën e shtetit të Kosovës”.

“ASHAK-u rikujton se bazat e shtetit të Kosovës janë krijuar në bashkërenditje me të, andaj çdo tendencë për t’i dëmtuar ato do ta bënte përgjegjëse edhe Bashkësinë Ndërkombëtare”.

“ ASHAK-u kërkon prej BE-së dhe Misionit të saj për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete dhe efikase për zbatimin dhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës”.

“ASHAK-u kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta ndaj palëve në bisedime”.

“ ASHAK-u shpreh indinjatë për standardet e një pjese të Bashkësisë ndërkombëtare që në emër të të drejtave legjitime të popullatës serbe, të garantuara plotësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të legjitimojë dhe legalizojë ndërhyrjet e pashembullta për raportet ndërkombëtare të shtetit të Serbisë në shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”.

“ ASHAK-u e konsideron të padrejtë, joparimor dhe të papranueshëm qëndrimin neutral karshi statusit të Republikës së Kosovës të BE-së në procesin e dialogut të monitoruar nga BE-ja, 23 prej anëtarëve të së cilës bashkë me 80 shtete të botës tashmë e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

“ ASHAK-u u bën thirrje serbëve të Kosovës ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës të integrohen dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, si rruga e vetme e qëndrueshme për realizimin e të drejtave të tyre”.

“ASHAK-u kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë të drejtat të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të vendosin reciprocitetin si kusht për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore”.

“ ASHAK-u kërkon nga BE-ja të angazhohet vazhdimisht për perspektiven evropiane për Kosovën dhe t’ia hapë derën integrimit të plotë të Kosovës dhe popullit të saj”.

“ASHAK-u konsideron se ruajtja dhe mbrojtja e parimeve të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa tërheq vërejtjen se lëndimi i mëtejmë i elementëve të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës do të krijonte një precedent të rrezikshëm me mundësi reale për destabilitet rajonal”.

“ ASHAK-u angazhohet me të gjitha potencialet e veta drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës dhe integrimit euroatlantik”

“ ASHAK-u kërkon prej institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike që të arrijnë unitet politik për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës”.