Ajo që i ndodhi Brazilit, s’do të përsëritet për 100 vjet

Thiago Silva thotë se humbja e thellë që e pësoi Brazili nga Gjermania, 7:1, nuk do të përsëritet edhe 100 vjet. Mbrojtësi brazilian kërkon nga shokët që të këndellen, para lojës me Holandën për pozitën e tretë.

Sport

12/07/2014 10:59

Thiago Silva i pa nga tribuna shokët e skuadrës duke e përjetuar ‘ferrin’ nga Gjermania, në humbjen 7:1.

Mbrojtësi brazilian ishte i suspenduar me një ndeshje dhe nuk mundi ta ndihmonte Seleçaon që ta shmangte humbjen e thellë nga ekipi i Joachim Loew.

Sidoqoftë, futbollisti i Paris Saint Germainit është i bindur se një humbje e tillë nuk do të përsëritet edhe një shekull.

“Edhe pse nuk isha në fushë, ndihem pjesë e skuadrës. Ishin gjashtë minuta të zinj. Ajo që ka ndodhur nuk do të përsëritet në 100 vjetët e ardhshëm”, deklaroi Silva në konferencë për shtyp.

“Për ne, ishte një rezultat tragjik. I kemi ende të njëjtat motive: jeta shkon përpara, jemi mjaft të vendosur për ndeshjen me Holandën. Duhet të hakmerremi për eliminimin në çerekfinale të Botërorit 2010”, përfundoi ish futbollisti i Milanit.