Ajeti: Luajta i dëmtuar, me 100% do të jemi në Francë

20:00 | 10 Shtator 2015

Arlind Ajeti ka folur për ndeshjen e humbur, heshtjen e Ronaldos, gjasat që ka Shqipëria për t’u kualifikuar si dhe të ardhmen e tij në klubin e Vaduzit në Zvicër

Arlind Ajeti zbulon se nuk ka dashur të dalë nga loja, edhe pse është dëmtuar në 30 minutat e fundit ndaj Portugalisë.

Mbrojtësi kuqezi, në një intervistë për “Telegrafi”, ka folur për ndeshjen e humbur, heshtjen e Ronaldos, gjasat që ka Shqipëria për t’u kualifikuar si dhe të ardhmen e tij në klubin e Vaduzit në Zvicër.

Arlind, si është gjendja e krahut tuaj, luajtët më shumë se 30 minuta i dëmtuar?

Kam pasur dhimbje gjatë ndeshjes, por vazhdova të luaja, pasi isha i gatshëm të jap gjithçka për rezultat pozitiv. Ende kam dhimbje, por për Kombëtaren ia vlen edhe të sakrifikohet.

Luajtët një ndeshje të madhe përballë Portugalisë, por e pësuat në fund…

Ishte ndeshje shumë emocionuese si çdo tjetër që e luajmë para tifozëve tanë të mrekullueshëm. Gjatë 45 minutave të fundit kemi luajtur pa frikë dhe kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë duke mbajtur topin në posedim dhe duke krijuar raste, por në fund humbëm me një gol aksidental. Kjo humbje na ka trishtuar të gjithëve.

A ishte shkaktar i humbjes respekti i madh ndaj portugezëve?

Në pjesën e parë treguam respekt të madh për Portugalinë dhe humbëm topin shumë lehtë, por në pjesën e dytë ndryshuan gjërat.

A besoni në kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Francë 2016″?

Unë, Arlind Ajeti, besoj 100% në skuadrën tonë dhe besoj 100% se do të kualifikohemi në Francë.

Tifozët gjatë ndeshjes dhe pas saj kanë ironizuar me pyetjen pse nuk luajti Ronaldo ndaj Shqipërisë, duke të vlerësuar lart për paraqitjen ndaj Portugalisë më saktësisht për ndaljen e yllit portugez…

(qesh) Ronaldo ka luajtur, por trajneri na ka organizuar mirë në mbrojtje dhe arritëm që ta ndalim atë dhe gjithë sulmuesit e tjerë të Portugalisë. Më vjen mirë për vlerësimet që më kanë kushtuar dhe i falënderoj të gjithë edhe për mesazhet që më kanë dërguar, por së bashku me shokët e Kombëtares besoj që ia kemi arritur t’i kemi nën kontroll të gjithë sulmuesit portugezë.

Dy ndeshjet e radhës janë ndaj Serbisë dhe Armenisë. Çfarë duhet të presim nga këto dy ndeshje, do të vendoset kualifikimi në të parën?

Në dy ndeshjet e radhës, ne luajmë për t’i fituar ato. Kur vendoset kualifikimi nuk e di, por jam i sigurt se do të kualifikohemi dhe nuk ka lidhje se në cilën ndeshje, të parafundit apo të fundit.

Ku do ta shohim Ajetin në këtë sezon, te cila skuadër?

Jam stërvitur me Vaduzin deri para grumbullimit me Kombëtaren. Aty ka mundësi që të nënshkruaj kontratë për gjashtë muaj apo një vit, por të shohim. Së pari do të shqyrtoj ofertat që më kanë ardhur pas këtyre dy ndeshjeve me Shqipërinë dhe në fund do të vendos.