AI: Të dy palët në Ukrainë kanë bërë krime lufte

Sekretari i përgjithshëm i organizatës për mbrojtjen e  të drejtave të njeriut, Amnesty Internationa (AI), Salih Shetty ka kërkUar nga qeveria e Ukrainës që të ndalojë abuzimet dhe krimet e luftës nga ushtarët vullnetarë, që po luftojnë përkrah trupave qeveritare në Ukrainën lindore.

Bota

08/09/2014 18:08

Si raporton REL, Shetty ka dhënë këtë porosi sot, gjatë një takimi në Kiev me kryeministrin Arseniy Yatsenyuk, një ditë pasi që AI ka shpalosur ‘një mori faktesh’ mbi krimet e luftës të bëra qoftë nga militanët pro-qeveritarë apo ata separatistë pro-rusë.

Ai ka thënë se Ukraina nuk duhet të përsërisë abuzimet që janë bërë më parë në zonat e mbajtura nga separatistët.

Sipas tij luftëtarët e ‘Aidar’ kanë kryer: ‘rrëmbime, ndalime të paligjshme, keqtrajtime, grabitje dhe ekzekutime të mundshme’.

Shetty më 9 dhe 10 shtator do të vizitojë Moskën, me qëllim që të kërkojë nga autoritetet ruse që të zbatojnë, promovojnë dhe praktikojnë të drejtat e njeriut në Rusi dhe jashtë saj.