AI pro legalizimit të prostitucionit, përçahen në grupe shoqatat e grave
Këshilli Ndërkombëtar i Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International ka vendosur që të angazhohet për një legalizim të prostitucionit. Shumë aktiviste të grave janë të entuziazmuara, të tjera të tmerruara.

Bota
Lea Ackermann, themeluese e Organizatës së ndihmës Solwodi, e cila kujdeset për viktimat e tregtisë së njerëzve, për prostitucionin e detyruar dhe për dhunën në marrëdhënie, i tha gazetës “Osnabrücker Zeitung”: “Amnesty merr anën e tutorëve dhe të tregtarëve të njerëzve.”. Të tmerruar janë edhe tek revista feministe “Emma”. Kjo revistë shpall që tani “fundin e palavdishëm të organizatës” dhe shkruan: Pikërisht një organizatë e themeluar për mbrojtjen e të burgosurve politikë “kërkon të mbrojë nga dënimi pikërisht ata që fitojnë miliarda në tregtinë e grave dhe kalon në anën e dorasve”. Organizata kundër Tregtisë së Grave, CATW, ku bëjnë pjesë edhe emra si aktoret e Hollivudit Meryl Streep, Kate Winslet dhe Emma Thompson që para shpalljes së vendimit pati deklaruar se emri i organizatës do të ndotet, nëse organizata vendos ashtu si vendosi.
Lëvdata nga Shoqata e Prostitutave
Por vendimi ka gjetur edhe mbështetje. Johanna Weber, zëdhënësja politike e Shoqatës Profesioniste Shërbime erotike dhe seksuale tha se “na nevojiten më shumë të drejta, kjo është mbrojtja jonë, dhe jo ndalime. Claudia Zimmermann-Schwarz, drejtuese departamenti në Ministrinë e Shëndetit, Emancipimit dhe Përkujdesjes nuk e kupton gjithë zemërimin, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për “marrëdhënie seksuale me marrëveshje dhe jo për varësi, shfrytëzim ose tregti njerëzish. Ai që thotë se AI angazhohet për tutorët, ai i jep temës “tipare skandaloze, gjë që nuk përshtatet fare me cështjen.
Dallime të mëdha
Shqetësimi paraqet sigurisht edhe botë të ndryshme morale dhe kulturore dhe legjislacione të ndryshme për prostitucionin. Edhe brenda Evropës këto përfytyrime përplasen. Asambleja Nacionale Franceze vendosi pak kohë më parë që të në ardhmen të ndëshkojë klientët e prostitutave, por jo prostitutat. Pra do të penalizohet blerja e seksit, por jo shitja e tij. Ky i ashtuquajtur model nordik vlen në Islanë, Suedi dhe në Norvegji. Legal dhe i përcaktuar me rregulla prostitucioni është para së gjithash në Gjermani, Austri, Hollandë dhe Zvicër. Prostitucioni i detyruar nga ana tjetër është i ndaluar kudo në Evropë. (shqiptarja.com)