Ahmeti: Vendimi i Ivanov është i nxituar, ta tërheqë menjëherë

Pas eskalimit të situatës nga vendimi skandaloz i presidentit Gjorgj Ivanov, lideri i BDI-së Ali Ahmeti i ka kërkuar të tërheqë menjëherë vendimin.

Lajme

12/04/2016 22:45

“I ashtuquajturi President Ivanov duhet ta tërheq vendimin e tij menjëherë për arsye se një vendim i tillë i nxituar dhe i pamenduar cenon Marrëveshjen e Shkupit, provokon thellimin e krizës politike në vend, kompromiton imazhin e shtetit dhe të arriturat e përbashkëta të forcave vendore dhe ndërkombëtare” ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka vendosur të falë të gjithë personat që po hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, por edhe për veprime tjera të jashtëligjshme, në bazë të asaj që njihet si “aferë e përgjimeve”.

Në bazë të vendimit, nga ndjekja e mëtejme janë liruar ish-ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, si dhe shumë politikanë e zyrtarë të tjerë, të dyshuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim të detyrës.

Vendimi i presidentit përfshin edhe liderin e partisë opozitare Lidhja Social-Demokrate, Zoran Zaev, i cili akuzohej nga Prokuroria Publike për rastin e njohur me emrin “Puçi“.

Ivanov, në një paraqitje të jashtëzakonshme, tha se vendimin e ka marrë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë tanimë një vit e gjysmë.