Ahmeti “vajton” EULEX-in

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar dyshimet për korrupsion në EULEX, me lutjen që ky koment të mos kthehet në një lajm - vajtim kolektiv se ku kemi rënë si shoqëri, sepse siç ka thënë ai, dëshpërimi është shumë i lehtë.

Lajme

29/10/2014 11:28

Ahmeti, të cilin qytetarët me siguri se do ta dëgjonin më me kënaqësi duke komentuar hallet e tyre, duke u nisur nga mungesa e ndriçimit në shumë lagje të kryeqytetit, rrugët e prishura në shumë lagje të kryeqytetit, për reduktimet me ujë të pijshëm, përpjekjet për të dalë nga kaosi urbanistik që ka trashëguar nga paraardhësi e deri tek ajo çfarë më së shumti i mundon këto ditë prishtinasit, mungesa e ngrohjes qendrore, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se zbulimet e fundit në EULEX janë tregues se korrupsioni nuk është fenomen kulturor.  

Kryetari i Prishtinës me këtë status u ka dalë në “mbrojtje” edhe popujve tjerë në Ballkan, duke thënë se thënia se “ballkanasit janë të korruptuar nga natyra”, është sa e pasaktë aq edhe e padrejtë.

“Zbulimet e fundit në EULEX tregojnë se nacionaliteti nuk të bën imun ndaj korrupsionit”, ka thkruar ndër të tjera kryetari i Prishtinës.

Lexojeni reagimin e plotë të Ahmetit rreth zhvillimeve në EULEX, të bërë në profilin e tij në Facebook:

Zbulimet e fundit në EULEX tregojnë se nacionaliteti nuk të bën imun ndaj korrupsionit.

Pra korrupsioni nuk është fenomen kulturor. Thëniet si “ballkanasit janë të korruptuar nga natyra” është sa e pasaktë aq edhe e padrejtë.

Duhet urgjentisht ta ndërrojmë besimin se të tjerët do të na e luftojnë korrupsionin, sepse të tillë janë të huajt, ata e luftojnë korrupsionin.

1 Korrupsionin duhet ta luftojmë vetë. Me rëndësi është ndërtimi i sistemit dhe mekanizmave që e luftojnë dhe njerëz të vullnetshëm që ta bëjnë këtë. Por vullnetin për luftë kundër korrupsionit e ndërtojnë vetë qytetarët, jo politikanët. Në shtetet Evropiane korrupsioni luftohet nga sistemi i ndërtuar nga vullneti i qytetarëve.

2. Korrupsioni në gjyqësor është edhe më i rrezikshëm se ai në politikë, sepse ne mund të luftojmë pafund në denoncim, por dënimi i tyre po mungon. Kjo është edhe përvoja jonë në Prishtinë.

3. Më e rëndësishme se krejt, ju LUS, mos ta kthejmë këtë lajm në një vajtim kolektiv se ku kemi rënë si shoqëri, sepse dëshpërimi është shumë i lehtë. Ta kthejmë në një veprim apo bashkëveprim që gjëra të tilla nuk do të tolerohen në shoqërinë tonë. Ti mbledhim të gjitha forcat, me letra e peticione, me aksione duke kërkuar llogari nga të gjithë ata që kanë pushtet, vendorë e ndërkombëtarë, lokal e qendror.

Politikanët e udhëheqësit do të vijnë e do të shkojnë, qytetari aktiv do të mbetet si garancë e një kohe më të mirë.