Ahmeti u kundërpërgjigjet akuzave për punësime familjare në Delegacion

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, i është kundërpërgjigjur akuzave për punësime familjare në Delegacion.

Lajme

18/04/2019 17:48

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, i cili njëherësh është edhe bashkëkryesues i Delegacionit Shtetëror për bisedimet me Serbinë, është akuzuar së fundmi për përfshirjen e familjarëve në këtë Delegacion.

Ahmeti ka demantuar këto akuza duke thënë që as ai por as Visar Ymeri nuk e kanë marrë asnjë cent nga buxheti i Kosovës për punën që kanë bërë në Delegacion.

“Askush prej neve prej Partisë Socialdemokrate prej fillimit e deri më sot nuk e ka marrë asnjë cent nga buxheti i Republikës së Kosovës për punën që e kemi bërë në Delegacionin Shtetëror të Kosovës. Po flas edhe për vete personalisht por mund të flas edhe për një pjesë të madhe të zyrtarëve në Komunën Prishtinës. Unë nuk e kam asnjë familjarë përmes konkurseve publike për më shumë i ka lajmëruar të gjithë të familjes kur jam bërë kryetar për konkurset publike. U kam thënë që nuk dua ta shoh emrin e askujt në këto konkurse”, ka thënë i pari i PSD-së, raporton zeri.info.

Kësisoj Ahmeti ka komentuar edhe lidhjen familjare që ka me Visar Ymerin. Sipas tij e tërë kjo bujë është bërë në formë sulmi nga disa parti.

“Nëse dikush e ka zbuluar sot se unë e kam Visar Ymerin djalë të tezes atëherë kjo përveç që është e padrejtë është edhe poshtërsi. Sepse unë kur kam hyrë në politikë kam qenë në “Frymën e Re” Visari ka qenë në “Vetëvendosje”. Visari është bërë kryetar i VV-së dhje askush nuk tha që Shpendi i ka djalë të tezes. Edhe kur u bë Visari deputet kurrkush nuk tha është votuar sepse e ka djalë të tezes Shpendi. Tash për delegacion e kanë zbuluar sepse po u duhet disa partive që të sulmojnë. As unë si kryetar as Visar Ymeri e as të tjerët nuk e kemi marrë asnjë cent për punën tonë që e bëjmë në delegacion”, ka deklaruar ai.