Ahmeti takon ndërtimtarët, flasin për lehtësimin e vështirësive

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, priti në takim përfaqësuesit e ndërmarrjeve ndërtimore.

Lajme

12/02/2015 16:52

“Shoqata e ndërtimtarëve ka kërkuar një takim që të diskutojë për problemet me të cilat ballafaqohen ata gjatë punës që kanë në Prishtinë. I kanë ngritur të gjitha çështjet në nivel të përgjithshëm. Pra, nuk kemi diskutuar për raste individuale. Kemi folur për problematikën, për çështje që këta i kanë si grup interesi dhe ne i kemi paraqitur argumentet tona”, tha kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Kemi diskutuar për procedurat e marrjes së lejeve, cilat janë procedurat aktuale dhe si mund të thjeshtohen ato. Gjithashtu, diskutuam për vlerën e taksës dhe për kushtet e pagesës, e posaçërisht për projektet e mëdha në rrethana kur zhvillimi ekonomik nuk është në nivelin e duhur në të gjithë vendin”, shtoi Ahmeti.

Sipas tij, më e rëndësishmja është se me Shoqatën e Ndërmarrjeve Ndërtimore është arritur dakordimi që në të ardhmen të vazhdohet diskutimi në grupe të vogla të punës, ku do të flitet për këto tri fusha: për procedurat, taksat dhe kushtet e pagesës.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore, Brahim Selimaj tha se ishin të mirëpritur nga kryetari Ahmeti dhe se gjatë këtij takimi është zhvilluar një bisedë shumë konstruktive për tejkalimin e vështirësive që e mundojnë sektorin e ndërtimtarisë. Ai tha se pret që në komisionet e përbashkëta do të shqyrtohen lehtësirat që janë të parapara me ligj, si dhe do të bëhet i mundur, siç u shpreh, tejkalimi i disa vështirësive.