Ahmeti: Qeveria mos ta lë punën e Jabllanoviqit “hajt se kalon”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka bërë thirrje edhe njëherë Isa Mustafës që ta shkarkojë ministrin për Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, dhe ta përjashtojë Listën Serbe nga koalicioni bashkëqeverisës.
Lajme
Ahmeti në “Interaktiv” të KTV-së tha se dëshira e tij ditën kur në Gjakovë po protestohej kundër deklaratave të Jabllanoviqit ishte t’i bashkohej protestuesve, por ishte i zënë me angazhime në Komunë.
Ai tha se nëse një protestë e tillë do të ndodhte në Prishtinë, ai do të jetë prezent.
“Natyrisht se po. Veçse kam pasur shumë punë në Prishtinë, sepse do të isha edhe unë në Gjakovë si qytetar, sepse ndihem i ofenduar nga këto deklarata.
Ahmeti i tërhoqi vërejtjen Qeverisë që punën e Jabllanoviqit të mos e lë me mendimin: “hajt se kjo do të kalojë”.
“Nëse Qeveria mendon se kjo do të kalojë në heshtje me një strategji se ‘hajt se kjo do të kalojë’ nuk do të ecë te qytetarët. Sepse, ata kërkojnë veprime konkrete për këtë, siç patëm sot protestë dhe prapë të shtunën do të ketë protestë në Gjakovë”.
“Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje Qeverisë që ta shkarkojë ministrin e Listës Serbe dhe të shkëputet koalicion me ta”.
Duke folur për punët në Komunën e Prishtinës, ai pranoi se ky kuvend është në krizë, madje, sipas tij, kështu ka qenë prej fillimit për shkak se synimi i disa asamblistëve të LDK-së, siç tha ai, ka qenë bllokues.