Ahmeti për legalizimin e objekteve: S’është kompetencë e nivelit qendror

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti duke folur për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ka thënë se PDK po premton diçka që është tashmë në ligj, dhe diçka që nuk është kompetencë e nivelit qendror.

Lajme

16/09/2019 14:46

Ahmeti ka shkruar në Facebook se si nivel qendror, qeveria duhet të garantojë financim shtesë për komunat për të trajtuar mbi 300 mijë ndërtime pa leje në krejt Kosovën.

Postimi i plotë i Ahmetit:

PDK po premton se do të legalizojnë ndërtimet pa leje me pagesë 1 euro për metër katror, brenda dy viteve të ardhshme.

Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje i cili është dekretuar në vitin 2018, thotë:

Neni 20

Taksat

1. Taksa për legalizim të ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe ndërtimeve pa leje të Kategorisë II që janë shtëpi është një euro për metër katror (1€/m2).

Neni 21

Afatet

1. Aplikacionet për certifikatë legalizimi dhe për leje legalizimi për përfundim të ndërtimit dorëzohen brenda dy (2) viteve pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Neni 6

1. Komunat kanë përgjegjësinë primare për zbatimin e këtij Ligji për kategoritë I dhe II të ndërtimit si dhe ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj

Pra, PDK po premton diçka që është tashmë në ligj, dhe diçka që nuk është kompetencë e nivelit qendror.

Si nivel qendror, qeveria duhet të garantojë financim shtesë për komunat për të trajtuar mbi 300 mijë ndërtime pa leje në krejt Kosovën. Duhet me u siguru qe kjo bëhet në mënyrë transparente dhe sipas radhës së aplikimit.

Tjerat janë fushatë me qëllim të dezinformimit.

P.S. ligji i parë për legalizim i kaluar në kohën kur në qeverisje ka qenë PDK, ka dështuar në zbatim në kohën kur në qeverisje kanë qenë PDK/LDK. /Lajmi.net/