​Ahmeti para Kushtetueses: Të mos merren vendime të njëanshme

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti po qëndron para Gjykatës Kushtetuese në Shkup derisa në rend dite aty është diskutimi për Ligjin për gjuhët. Ai ka thënë që gjykatësit nuk duhet të marrin vendime të njënashme dhe ka kërkuar që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në Maqedoninë e Veriut. “E kaluara nuk…

Lajme

11/12/2024 11:33

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti po qëndron para Gjykatës Kushtetuese në Shkup derisa në rend dite aty është diskutimi për Ligjin për gjuhët.

Ai ka thënë që gjykatësit nuk duhet të marrin vendime të njënashme dhe ka kërkuar që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në Maqedoninë e Veriut.

“E kaluara nuk duhet harruar sepse me atë të kaluar kemi vuajtur të gjithë bashkërisht dhe sot sërish të ngriten çështje që janë mbyllur me një dokument dhe marrëveshje të dakorduar në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra Marrëveshjen e Ohrit. Këtij dokumenti sa duhet t’i dalim zot ne, po aq duhet t’i dalin zot të gjitha institucionet në RMV, sepse i dha fund luftës dhe i hapi shtegun paqes e dialogut”, ka thënë Ahmeti.

“Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, ka shtuar Ahmeti.

Seancën e Kushtetueses ku po debatohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve e ka braktisur gjyqtari Fatmir Seknder.

Ai ka kërkuar anulimin e seancës që ndërkohë të mundësohet prania e gjykatësve Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, por asnjë nga gjykatësit nuk e ka pranuar propozimin e tij, siç raporton Alsat.

Në seancë janë prezent vetëm gjyqtarët maqedonas.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.

Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.

Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë.