Ahmeti: Me Besnik Bislimin kemi publikuar dikur dokumente që janë cilësuar si “fshehtësi zyrtare”

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ia ka rikujtuar Lëvizjes Vetëvendosje publikimin e kontratës së qeverisë së Kosovës me Bechtel Enka, e cila ishte cilësuar si fshehtësi zyrtare.

Lajme

17/04/2021 15:10

Ahmeti këtë reagim e bën në mbrojtje të mediave të cilat janë bërë cak i intervistimeve nga policia e Kosovës pas publikimit që gazeta online “Insajderi” e bëri lidhur me vonesat në sigurimin e vaksinës nga ministria e Shëndetësisë, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se nga Insajderi nuk duhet të japin asnjë burim të informatës, pasi kështu kanë vepruar edhe Ahmeti e nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi dikur dhe kjo garantohet me ligj.

Ky është reagimi i tij:

Kur askush nuk e dinte se çka përmban kontrata e autostradës me Bechtel Enka dikush e ka dorëzu në mënyrë anonime kopjen e kontratës. Përkundër rreziqeve e rrethanave në një konferencë për media të Levizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi dhe unë kemi publikuar atë kontratë, të cilësuar si fshehtësi zyrtare.
Edhe pse mendoj se e di kush na e ka dhënë në asnjë rrethanë nuk do të pranoja ta jap emrin sepse publikimi i kontratës ishte interes publik.
Në punën time si kryetar shumë shpesh mediat informojmë vetëm lajmet e këqija për komunën. Disa i kam konsideruar armike. Por, pjesë e demokracisë janë mediat e lira dhe ndjekja e interesit publik nga ana tyre pa marr parasysh sa dobëta e sa të kapura mund të jenë ato.
Meqë nuk përzihem as në punët e policisë e as të prokurorisë, së paku mund ti lus (ar)miqët e mi në insajder mos ta japin emrin e burimit të informatës. Jo pse e mbrojnë burimin e informatës në këtë rast por inkurajojnë rastet e tjera në të ardhmen. Jam i sigurt se kjo shoqëri e jona me demokraci të brishtë do ta ketë reagimin e duhur. /Lajmi.net/