Ahmeti: Koalicioni PSD-AAK është i vetmi që mund t’i dalë ballë sfidave që e presin Kosovën

Tashmë është zyrtarizuar koalicioni parazgjedhor në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

Lajme

19/08/2019 15:30

Pas zyrtarizimit, kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka treguar se në takimin që pati me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë diskutuar për programin qeverisës.

Ahmeti tregoi edhe arsyen përse është bërë ky koalicion parazgjedhor.

“Në këtë betejë ne po i bashkojmë forcat me AAK-në dhe si qëllim i kemi që të shkojmë me një program qeverisës”, u shpreh Ahmeti, raporton lajmi.net.

Tutje ai ka treguar se PSD dhe AAK do të dalë në një listë të përbashkët dhe bartës i listës do të jetë Ramush Haradinaj.

“Jemi dakorduar që ne të garojmë në një listë dhe bartës i kësaj liste do të jetë kandidati i AAK-së, në këtë rast do të jetë Ramush Haradinaj”, deklaroi ai.

Tutje Ahmeti ka thënë se kërkesa kryesore e PSD-së, për të hyrë në këtë koalicion ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

“Kërkesë kryesore ka qenë intensifikimi i luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit nëpër institucione”, theksoi Ahmeti.

Sipas tij, koalicioni PSD-AAK është i vetmi koalicion që mund t’iu dalë balë sfidave që e presin Kosovën dhe se sipas tij, ky koalicion është pretendent kryesor për fitimin e zgjedhjeve.

“Kosovën e presin vite të vështira përpara sa i përket dialogut, zotimeve para partnerëve qeveritar dhe gjithsesi nevojitet një koalicion i cili u del ballë këtyre sfidave. Ky koalicion është pretendent serioz për të fituar këto zgjedhje dhe ne sot po e zyrtarizojmë këtë koalicion”, deklaroi Ahmeti. /Lajmi.net/