Ahmeti: Do të emërojë drejtorë edhe nga shtete tjera nëse janë profesionistë
Shpend Ahmeti thotë se duhet larguar nga rajonalizmat kur është fjala për kuadro. Me këtë, Ahmeti i është përgjigjur Ismet Beqirit, i cili e ka cilësuar si ofenduese emërimin e drejtorëve nga qytetet tjera.

Lajme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk do të hezitojë asnjëherë të emërojë drejtorë edhe nga qytete tjera, pasi që, sipas tij, të qenit nga Prishtina, nuk garanton asgjë.
Ai i është kundërpërgjigjur Ismet Beqirit i cili, sipas tij, ka thënë se është ofenduese për prishtinasit që drejtor komune të jetë një person nga Gjakova, duke aluduar në emërimin e Arbërie Nagovcit.
Këto komente kanë ardhur, pasi kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të premten e ka kompletuar qeverinë komunale.
Lexo të plot shkrimin në Facebook:
Nuk do të hezitoj asnjëherë të emëroj drejtorë edhe nga komunat tjera e besa edhe nga shtetet e tjera ne qoftë se mendojmë se do të bëjnë punë të mirë. Jusuf Thaçi nga Drenasi dhe Arbërie Nagavci nga Gjakova janë profesionistë të arsimit dhe për atë emërohen dhe do të emërohen edhe në të ardhmen. Të qenit nga Prishtina nuk garanton asnjë gjë, Për këtë kemi përvojë 14 vjeçare në qytetin tonë, ku keqpërdorimet në arsim dhe politizimi i arsimit e kanë sjell në këtë gjendje (mjafton ti përmend familjarët e drejtorëve të komunës të punësuar si drejtorë në shkollat e Prishtinës). E për Ismet Beqirin i cili ka thënë se është ofenduese për Prishtinasit që drejtoresha është nga Gjakova e kam një pyetje. Mos është ofenduese për të si mashkull që drejtoresha është grua sepse ky lokalizëm përfundon edhe në -izma të tjerë.