Ahmeti diskuton me përfaqësuesit fetarë lidhur me menaxhimin e varrezave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është takuar me përfaqësuesit e bashkësive fetare ku është diskutuar lidhur me rregulloren për menaxhimin e varrezave në Prishtinë.

Lajme

09/09/2014 12:57

Në këtë takim të pranishmit patën rastin të shprehin sugjerimet e tyre lidhur rregulloren për menaxhimin e varrezave, ndërsa kryetari Ahmeti i njoftoi ata se një prej sfidave kryesore është menaxhimi i hapësirës së pamjaftueshme të ndarë për varreza pasi që në Komunën e Prishtinës, në ditë mesatarisht varrosen nga pesë persona.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare shprehën shqetësimin se “Ligji për Liritë Fetare” nuk e ka rregulluar çështjen e varrezave dhe se në të ardhmen duhet që të shikohet mundësia që çështja e varrezave të rregullohet edhe me ligj.

Ata, po ashtu, dhanë sugjerime konform dispozitave të parapara fetare për ceremonitë dhe ritualet, ndërsa komunitetet më të vogla fetare propozuan ndarjen e varrezave.

Kryetari Ahmeti tha se në parim nuk është pro ndarjes së varrezave, por sugjeroi që secili komunitet fetar t’i dërgojë në komunë kërkesat ku do të specifikonin ritualet dhe kërkesat e tyre, procedura të cilat do të përfshiheshin në rregullore dhe do të zbatoheshin në praktikë, gjë që edhe do ta forconin bashkëpunimin midis komunës, bashkësive fetare dhe kompanive të hortikulturës.

Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e mosshfrytëzimit të Objektit Komemorativ (morgu), i cili shkaku i disa problemeve teknike vazhdon të mos shfrytëzohet nga askush.

Ahmeti u shpreh i shqetësuar lidhur me gjendjen e këtij objekti dhe tha se në të ardhmen, në konsultim me komunitetet fetare, do të duhet të merret vendim lidhur me këtë objekt, i cili fatkeqësisht është i papërdorshëm shkaku i moskryerjes së punëve të parapara sipas kontratës.