Ahmad Massoud, afgani që nuk do t’i dorëzohet talebanëve

Ahmad Massoud po qëndron në një bazë të largët në provincën afgane Panjshir. Ai është djali dhe pasardhësi i komandantit legjendar Ahmad Shah Massoud, një udhëheqës i rezistencës popullore kundër sovjetikëve dhe talebanëve, derisa këta të fundit e vranë atë më 9 shtator 2001.

Bota

25/08/2021 10:38

Kur Kabuli ra sërish në duart e talebanëve, i riu Massoud bëri ​​një thirrje të fortë për rezistencë. “Ne afganët jemi sot si Evropa në vitin 1940. Veçse në Panjshir, kapitullimi është thuajse total dhe fryma e bashkëpunimit me talebanët po përhapet midis të mundurve, të cilët e humbën këtë luftë për shkak të dështimeve të tyre. Vetëm ne po u rezistojmë. Dhe ne nuk do të dorëzohemi kurrë!”- deklaroi ai më 16 gusht.

Unë e takova Massoud në Panjshir vitin e kaluar, dhe bisedova me të në telefon të shtunën e javës që kaloi. Zëri i tij ishte i qartë dhe tingëllues, por i mbytur. Unë e pyeta mbi thashethemet që qarkullojnë në Evropë dhe SHBA, se edhe ai po përgatitet të dorëzohet.

“Kjo është propagandë. Me sa duket, midis jush ka disfatistë që i ngatërrojnë dëshirat e tyre me realitetin në terren. Asgjë që po thuhet nuk është e vërtetë. Bëjeni të ditur këtë mesazh: Nuk ka dyshim për heqjen dorë nga lufta. Këtu në Panjshir, rezistenca jonë sapo ka filluar”- thaai.

Po në lidhje me pretendimet e udhëheqësit taleban, Sirajuddin Haqqani,sipas të cilave Massoud po “tërhiqej?”. “E përsëris se ky është një dezinformim. Ne nuk do të pranojmë kurrë një paqe të imponuar, dhe do të rezistojmë derisa të arrijmë drejtësinë dhe lirinë. Natyrisht jo përmes dorëzimit. Unë do të preferoja më mirë të vdisja sesa të dorëzohesha. Unë jam djali i Ahmad Shah Massoud. Fjala dorëzim nuk gjendet në fjalorin tim”-theksoi ai.

Në fakt Massoud duket një luftëtar i pamposhtshëm. “Në këtë botë unë dua 3 gjëra:librat, kopshtet dhe astronominë, që e kam mësuar në Kolegjin Mbretëror në Londër, e cila më dha zakonin e shikimit çdo natë të qiellit dhe konstelacioneve të tij ujore”- u shpreh Massoud.

Por ai është i vendosur të ndjekë shembullin e babait të tij, i cili e mësoi se “Ajo që e bën një popull të fortë, mbi dhe përtej çdo çekuilibri forcash, është shpirti e rezistencës. Ju duhet të besoni me gjithë zemër në misionin tuaj. Dhe për mua, ky është një mision i pakthyeshëm, pavarësisht çmimit që duhet paguar. Babai im e kishte këtë forcë brenda tij. Ai nuk kishte asnjëherë dyshime. Unë do të bëj çmos për të qenë i denjë për shembullin, vendosmërinë dhe guximin e tij”.

Po ashtu rreth tij kanë qarkulluar zëra se ka negociuar me talebanët, dhe vetë Massoud lë të kuptohet se kjo është e vërtetë. “Të bisedosh është një gjë. Nga të folurit nuk të vjen asgjë e keqe. Në çdo luftë ka bisedime. Babai im komunikonte gjithnjë me armiqtë e tij. Gjithmonë. Edhe kur konflikti ishte në kulmin e tij. Por të dorëzohesh është një gjë krejtësisht tjetër. Dhe e përsëris që në zemrën time dhe të komandantëve të mi nuk ka asnjë lloj dyshimi për t’u tërhequr”- theksoi ai.

Atëherë pse duhet biseduar?“Sepse si çdo qenie njerëzore, unë preferoj paqen mbi luftën. Dhe nëse talebanët do të ishin të gatshëm t’i zgjidhnin problemet themelore të Afganistanit, dhe të krijonin një sistem të drejtë që garanton të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve, atëherë unë do t’i pranoja këto kushte dhe ne do të jetonim në një Afganistan paqësor. Por e theksoj sërish se unë nuk do të pranoj kurrë një paqe të imponuar për hir të stabilitetit. Liria dhe të drejtat janë shumë më të rëndësishme për ne, sesa të jemi brenda një burgu me stabilitet”-nënvizoi ai.

Pa ashtu Massoud frymëzohet nga udhëheqësit aleatë të Luftës së Dytë Botërore. I ati e mësoi të admironte Charles de Gaulle. “Në akademinë ushtarake Sandhurst ku kam studiuar, kam lexuar edhe kujtimet e Winston Churchill.

Në të njëjtën kohë me De Gaulle, ai u tha britanikëve:“Unë nuk kam asgjë për të ofruar përveç gjakut, mundit, lotëve dhe djersës; ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. Unë ende nuk e

di se çfarë na pret nga lufta jonë, dhe nuk do të supozoj se njerëzit do të na krahasojnë me këta shembuj të lavdishëm. Por unë ju them se ata janë të pranishëm tek unë dhe frymëzojnë respektin më të madh”.

A ka frikë ai nga sulmi i talebanëve? “Sigurisht, talebanët janë të frikshëm. Ata kanë rrëmbyer rezervat e armëve amerikane. Dhe unë nuk do ta harroj asnjëherë gabimin historik të atyre që u kërkova armë një javë para rënies së Kabulit. Ata më refuzuan.

Dhe ato armë, artileri, helikopterë, tanke, të dorëzuara nga Amerika, janë në duart e talebanëve. Por malet e Panjshir kanë një traditë të gjatë të rezistencës. As talebanët e para vitit 2001, as sovjetikët para tyre nuk kanë arritur të depërtojnë në krahinën tonë. Unë besoj se e njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe sot”- gjykon ai.

Lideri i rezistencës thekson se afganët po i përgjigjen thirrjes së tij për rezistencë. “Mijëra njerëz po na bashkohen. Këtu kemi aktivistë, intelektualë, politikanë, oficerë të ANSF, Forcat e Sigurisë Kombëtare Afgane. Ata po vijnë këtu në këmbë, me kalë, me motoçikleta, me makina private, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Ata janë të mësuar me beteja.

Disa janë ish-pjesëtarë të forcave speciale afgane. Një pasuri e madhe për lëvizjen tonë”- shton ai.

Fati i zotit Massoud është i pasigurt. Unë nuk isha në gjendje ta takoja të hënën. Sipas raportimeve mediatike, njësitë talebane kanë mbërritur në grykat e luginave të Panjshir. Ka zëra se talebanët i dhanë atij një ultimatum disa orësh, para se të fillojnë një sulm. Dhe ka pyetje në lidhje me solidaritetin e aleancës së tij me ish-zv/presidentin Amrullah Saleh, që gëzon ende legjitimitet kushtetues.

E megjithatë, mesazhi i tij drejtuar Perëndimit është ai i vendosmërisë dhe shpresës:“Nëse qëndrojmë të fortë përballë stuhisë, era mund të zhvendoset, sidomos nëse marrim ndihmë dhe mbështetje”. Po nga kush? “Nga kushdo që është i gatshëm. Nga vendi juaj Franca në veçanti”.

Unë u takova me të në prill të këtij viti kur ai u prit në një takim në Paris nga presidenti Emmanuel Macron. “Më bëri përshtypje president juaj i ri, që e admiron babanë tim dhe gjeneralin De Gaulle. Nuk mund ta imagjinoj që ai të na kthejë shpinën. Ai e di se rezistenca në Panjshir është një mburojë kundër barbarisë, jo vetëm për popullin afgan, por edhe për njerëzit e lirë në të gjithë botën”- thekson Massoud.