Agron Selimaj, apo i heshturi i fuqishëm

Agron Selimaj sot mbushi një vit nga emërimi i tij në krye të Agjencisë së Kosovës për inteligjencë (AKI). Zyrtari i lartë dhe më i heshtur në vend, për një vit, arriti ta ndihmojë policinë me shumë informacione që çuan në arrestim e shumë personave që synonin t’i bashkoheshin organizatave terroriste. Por rastet e fundit si ai në xhaminë e Drenasit ku u gjet mjet shpërthyes, risjellin në vëmendje  rolin dhe punën e madhe  që duhet ta bëjë kjo agjenci.

Lajme

02/02/2016 18:59

 

Thonë se informacioni është pushtet. Nëse vlen kjo thënie, atëherë në Kosovë, njeriu më i pushtetshëm është Agron Selimaj, aktualisht drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Selimaj sot mbushi një vit në këtë detyrë. Emërimi i tij u bë me 2 shkurt 2015 nga Presidentja Atifete  Jahjaga dhe Kryeministri Isa Mustafa.

Selimaj erdhi në këtë detyrë pas dorëheqjes së papritur të Bashkim Smakajt me 16 janar 2015, raporton lajmi.net.

Por  nëse Selimaj ka pushtet me informacione, nuk do të thotë se ai e shpërfaqi këtë fuqi në media, gjatë vitit të parë në krye të këtij institucioni.

Në fakt, shefi i cili ka në dorë informacionet sekrete, asnjëherë nuk ka folur në publik  dhe madje as që pritet të flasë ndonjëherë.

Sidoqoftë, me 3 mars 2015, vetëm një muaj pasi mori detyrën, punën e parë që bëri, ishte ristrukturimi i AKI-së.

Nga informacionet e pakta që dolën në media, dhe kryesisht nga anëtarët e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, u tha se Selimaj ka vendosur  të heq  Departamentin e Verifikimit të Zyrtarëve shtetërorë, nga kompetencat e kësaj agjencie.

“Ky departament do të funksionojë si i pavarur”, pati thënë Haxhi Shala, kryetar i Komisionit parlamentar, raporton lajmi.net.

Puna e Selimajt vazhdon të jetë e heshtur edhe atëherë kur kryen vizita të rëndësishme jashtë vendit, sikurse ajo me 7 shtator 2015, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse në atë kohë u tha se shefi i AKI-së, iu bashkua Presidentes Atifete Jahjaga, e cila në Washington kishte udhëtuar një javë më vonë, me 15 shtator 2015, prania e tij në kryeqytetin amerikan dhe takimet me zyrtarë të nivelit përkatës, nuk u konfirmuan asnjëherë zyrtarisht.

Agron Selimaj

Agron Selimaj, drejtor i AKI-së, në një nga fotografitë e rralla të shkrepura gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për mbikqyrjen e AKI-së

Sidoqoftë, në vitin e parë prej kur u vendos në krye të këtij posti me pushtet të padukshëm, Selimaj vazhdon të përballet me shumë rreziqe për sigurinë shtetërore. Njëra prej tyre është rreziku nga terrorizimi.

E gjetur ndërmjet të drejtës së qytetarit për të lëvizur lirshëm dhe rrezikut të pjesëmarrjes së tyre në terrorizëm, puna e AKI-së komplikohet edhe më shumë, raporton lajmi.net.

Në këtë pikë, deri më tash, AKI-ja rezulton se ia ka dalë të parandalojë shumë persona të cilët kanë tentuar t’i bashkohen organizatave të ndryshme terroriste, kryesisht atyre në Siri.

Mjafton të rikujtohet rasti i 11 korrikut 2015 kur policia arrestoi pesë të dyshuar për përfshirje në vepra penale, që ndërlidhen me terrorizëm. Ata u prangosën afër liqenit të Badocit.

AKI-ja ia doli edhe me raste të tjera të ngjashme, sikurse arrestimi i Norë Zuzakut nga Gjilani, e cila bashkë me të dashurin e saj Tahir Isufin, ishin arrestuar në Stamboll, në rrugë drejt Sirisë. Falë informacioneve të AKI-së, u arrestuan në këtë udhëtime dhe dy të tjerë të cilët u kthyen në Kosovë,dhe tash ndodhen në paraburgim, raporton lajmi.net.

Megjithëkëtë,  derisa siguria brenda vendit vazhdon të mbetet relativisht e mirë, fal udhëtimit të lirshëm deri në Turqi, grupeve terroriste në Siri, sipas Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e radikalizmit në Kolegjin Mbretëror në Londër, i janë bashkuar 140 kosovarë.

Por në anën tjetër, edhe arrestimi i tyre, falë informacioneve paraprake të siguruara nga AKI-ja, nuk është i vogël. Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi se vetëm gjatë pjesës së parë të vitit 2015, janë arrestuar 60 persona si të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste ISIS.

Sidoqoftë, lufta dhe puna e AKI-së dhe Agron Selimajt në krye të kësaj agjencie, vetëm sa do të shtohet.Mjafton të rikujtohet rasti i gjetjes së mjetit shpërthyes para disa ditësh në oborrin e xhamisë në Drenas,  arrestimi i katër të dyshuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit apo i shtetasit të Serbisë, Slobodan Gavriç i cili u kap me një sasi eksplozivi e që për cak dyshohej se kishte Katedralen ‘Nënë tereza’ në Prishtinë./lajmi.net