Agron Cane në burg pa afat

Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë vendosi masën e sigurisë burg pa afat për Agron Canen ish-përfaqësuesin e zyrës së deputetit Koço Kokëdhima i akuzuar për shfrytëzim të këtij posti kundrejt shërbimeve seksuale nga një minorene dhe nëna e saj. 

Bota

19/08/2014 17:54

Avokati i të pandehurit kundërshtoi akuzat dhe kërkoi pafajësinë si dhe gjykimin në gjendje të lirë, por trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Enkelejda Doda pas analizimit të fakteve i ka hedhur poshtë këto pretendime duke e lënë në burg Agron Canen.

Elvira Gega denoncuesja e kësaj ngjarjeje ndihet më e sigurt pas vendimit.

Më parë gjatë ditës Gega u thirr sërish nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë për të plotësuar dëshminë me detaje shtesë, ndërsa hetimet që do të vijojnë pritet të grumbullojnë dëshmitë e disa dhjetëra personave në Sarandë si dhe do të analizojnë procedurat e funksionimit të zyrës së deputetit Koço Kokëdhima që grumbullonte shqetësimet e elektoratit.

Ndërkohë avokati i të akuzuarit paraqiti në media qëndrimin e tij duke e cilësuar videon një montazh.

Agron Cane u arrestua nga policia pasi u denoncua se kërkoi marrëdhënie seksuale me një grua dhe vajzën e saj 14 vjeç në shkëmbim të një vendi pune.

/ Top Channel