Agostini: Marc Marquez do të fitonte me secilën skuadër

15 herë kampioni i Moto GP, Agostini, nuk ka kursyer lëvdatat për Marc Marquez.

Sport

24/05/2020 15:40

Marquez është kampioni i padiskutueshëm në Moto GP aktualisht, i cili me skuadrën e Honda ka dominuar pistat.

Spanjolli ka fituar titullin e tetë të kampionit me triumfin në sezonin e kaluar, kurse ecurinë synon ta vazhdojë sapo garat të fillojnë këtë vit.

Lidhur me Marquez ka dhënë disa komente 15 herë kampioni Giacomo Agostini, i cili nuk ka dyshim se kush është më i miri. Madje, ai beson se spanjolli do të triumfonte me secilën skuadër.

“Nuk mendoj se Marc ka nevojë të ndërrojë skuadër për të vërtetuar veten. Vlera e tij është e jashtëzakonshme, atë e tregon pista”, ka thënë Agostini, transmeton lajmi.net.

“Ne të gjithë e dimë kush është më i miri dhe ne e dimë se ai do të fitonte edhe me skuadra të tjera”, ka shtuar fituesi i 122 Grand Prix.

“Askush nuk mund të thotë se Marc fiton pasi ai është me Honda. Nuk duhet përmendur. Janë duart e Marc që bëjnë Hondan të fitojë. Insistoj se të gjithë e dimë se ai do të fitonte edhe me motoçikleta tjera”, shtoi Agostini.

Marc Marquez vazhdon të jetë pjesë e Honda. Tashmë, në skuadër është bashkuar edhe vëllai i tij, Alex, i cili do ta konkurrojë kampionin. /Lajmi.net/