AGK: “Je suis Charlie”
Në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit terrorist kundë revistës franceze “Charlie Hebdo”, gazetarët kosovarë kanë ndërmarrë një aktivitet në qendër të Prishtinës.

Lajme
Pjesë e këtij aktiviteti, i cili është nisur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është mbledhja (tubimi) i gazetarëve të mediave të ndryshme në vend, për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve, Zekirja Shabani, duke ndarë dhimbjen me kolegët gazetarë francezë, tha se fjalët nuk mund ta përshkruajnë dhimbjen e humbjes së kolegëve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, vlerëson se sulmi i djeshëm dhe çfarëdo sulmi ndaj mediave dhe gazetarëve, është një përpjekje e dështuar për ta mbytur median e lirë”.
“Gazetarët do të vazhdojnë në përkrahje të njëri-tjetrit, ta ngremë zërin për padrejtësitë dhe për të gjitha ato që ndodhin rreth nesh do të vazhdojmë ta informojmë opinionin e gjerë”, theksoi ai.
E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe zëvendësambasadorja franceze në Kosovë, e cila falënderoi të pranishmit për mbështetjen.
“Dua t’i falënderojë të gjithë njerëzit, veçanërisht këta në Kosovë që janë solidarizuar me viktimat dhe familjet e tyre. Faleminderit!”, tha ajo.
AGK ka vendosur edhe banerë me mbishkrimet “Je suis Charlie”.