AGK e shqetësuar me kërcënimin ndaj Bajqinovcit

Pas publikimit të lajmit për telefonatën kërcënuese që e kishte marr gazetari Mefail Bajqinovci, ka reaguar edhe asociacionet e gazetarëve. AGK dënon kërcënimet ndaj gazetarëve. 

Lajme

02/07/2014 16:15

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim lajmin se gazetari i Televizionit “Kohavision”, Mefail Bajqinovci, është kërcënuar dhe fyer nga një person i njohur tashmë për Policinë e Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur, të mërkurën rreth orës 11:00, kur udhëheqësi i emisionit “Puls”, Mefail Bajqinovci është kërcënuar me jetë përmes telefonit.

AGK mëson se me këtë rast po merret Policia e Kosovës, e cila ka lokalizuar telefonatën dhe dihet prej ku është realizuar thirrja.

AGK dënon ashpër këtë akt ndaj Bajqinovcit dhe çdo lloj kërcënimi tjetër që iu bëhet gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre.

Kërcënimi i gazetarëve, paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto të rëndësishme për funksionimin e demokracisë.

AGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë rast me seriozitet dhe inkurajon kolegun Bajqinovci dhe kolegët e tjerë gazetar të mos ndikohen nga raste të tilla në punën e tyre.