AGK dënon kërcënimin e gazetarëve në Malishevë

Ndaj kërcënimit të ekipit të televizionit “Kohavizion”, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Lajme

09/06/2015 19:10

Ekipi i këtij televizioni, i përbërë gazetarja Donika Voca dhe kameramani Shemsi Igrishta, janë kërcënuar dhe penguar në punën e tyre nga drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti.

AGK përmes këtij reagimi, ka kërkuar nga drejtorati i Arsimit në Komunën e Malishevës që sa më shpejtë të merr masa ndaj drejtorit të kësaj shkolle.

Reagimi i plotë i AGK-së:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim informatën se ekipi i KohaVizionit, gazetarja Donika Voca dhe kameramani Shemsi Igrishta, janë kërcënuar dhe penguar në punën e tyre nga drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti.

Voca dhe Igrishta janë kërcënuar se nuk guxojnë ta publikojnë lajmin për të cilin kishin shkuar dhe janë nxjerrë jashtë nga shkolla që të dy.

Madje drejtori i gjimnazit Izet Hoti nuk e ka lejuar ekipin e KTV-së që të marrë pamje me kamerë edhe jashtë objektit të shkollës duke e kërcënuar në të njejtën kohë se do t’ua thyej kamerën dhe se me kameramanin e po ashtu edhe me gazetarën do të merret personalisht.

Për më tepër, siç edhe shpjegon gazetarja dhe kameramani, i njëjti person është paraqitur edhe në zyrat e drejtorit të Arsimit në Komunë dhe ka vazhduar të bëjë presion që lajmi të mos publikohet dhe duke kërkuar edhe nga Drejtori i Arsimit që të mos flasë para kamere lidhur me rastin.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës raste të tilla janë shqetësuese dhe pengesë e drejtëpërdrejtë e punës së gazetarëve që kohëve të fundit janë shtuar në numër.

AGK i bënë thirrje Drejtorisë së Arsimit në Malishevë që të distancohet nga veprat e drejtorit të Gjimnazit “Hamdi Berisha”. AGK i bënë thirrje edhe Ministrisë së Arsimit që të merret me rastin e këtij drejtori, e po ashtu edhe Policisë së Kosovës që të hetojë këtë rast.

AGK konsideron se forma të tilla të pengimit dhe kërcënimeve në punën e gazetarëve janë të patolerueshme dhe cenojnë rëndë lirinë e medias.