‘Agjenti’ Ronaldo: Si e ndihmoi portugezi Juven që t’i mposht Barcën dhe PSG për De Ligtin

Cristiano Ronaldo po luan rol jetësor në njërin ndër transferimet më të mëdha të Juventusit kohëve të fundit.

Sport

16/07/2019 09:57

Superylli portugez një sezon më parë po merrte ovacione të mrekullueshme nga tifozët në Torino, duke u bindur se ‘Bianconerët’ janë klubi i duhur për të.

34-vjeçari pas një edicioni me Juven fitoi Serie A, Superkupën e Italisë dhe çmimin individual si lojtari më i mirë në Itali, shkruan lajmi.net.

Përveç sukseseve me ekipin, Ronaldo fitoi Ligën e Kombeve me Portugalinë. Pikërisht ky kompeticion do t’i siguronte Juventusit një nga transferimet më të mëdha në futboll falë pesë herë fituesit të Topit të Artë.

Ronaldo pas përfundimit të finales së Ligës së Kombeve ndaj Holandës, iu afrua mbrojtësit Matthijs de Ligt për ta bindur që të kalonte në Torino.

“A je duke ardhur në Torino?”, tregonte De Ligt i buzëqeshur për Mundo Deportivo se çfarë i tha Ronaldo atij pas ndeshjes.

“Në fillim nuk e kuptova. Më befasoi paksa, më la paksa të habitur. Por, unë nuk u përgjigja asgjë. Nuk jam i shqetësuar tani për atë gjë. Afati i transferimeve ende nuk është hapur. Do të shkoj në pushime, pastaj do të shikojmë çfarë do të ndodhë”, shtoi më tej holandezi.

19-vjeçari më pas zbuloi se e kishte ëndërr të ishte bashkëlojtar me Cristiano Ronaldon një ditë.

”Unë gjithmonë doja të ishja Cristino Ronaldo, kur unë dhe shokët e mi luanin në lagje”.

“Këtë ndjenjë e kisha veçanërisht në kohën e tij kur luante te Manchester United. Fanella ime e parë ishte me emrin e tij”, deklaronte De Ligt.

Tashmë thuhet se transferimi i tij në ‘Allianz Stadium’ është çështje e mbyllur dhe ai do t’i kushtojë Juventusit plotë 75 milionë euro – një transferim i arritur edhe falë ndihmës së Cristiano Ronaldos, i cili bëri që ekipi i tij të mposhte konkurrencën e Barcelonës dhe PSG. /Lajmi.net/