Agim Çekun nuk e ka hidhëruar renditja poshtë në listë

Ministri i Forcës së Sigurisë, dhe ish kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, Agim Çeku, nuk është shumë i brengosur që është renditur në pjesën e dytë të listës për deputetë të PDK-së të përbërë nga 110 kandidatë. 

Lajme

17/05/2014 22:19

Çekut, ish komandat i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe një nga kalimet më pompoze në PDK, nuk i ka bërë përshtypje shumë renditja në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit. 

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se respekton çdo vendim të kryesisë dhe udhëheqjes së PDK-së. 

“Të nderuar qytetarë ,duke pas parasysh se jemi ne prag të zgjedhjeve dhe unë kam vendosur të jem pjesë e listës së Partia Demokratike e Kosovës pavarësisht renditjes me shumë dëshirë dhe vullnet do të pranoj çdo vendim te kryesisë dhe udhëheqjes se PDK-së. Është me rëndësi që unë jam pjesë e listës se PDK-së dhe që ju do të keni mundësinë për të mbështetur programin për Misionin e Ri të udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi”, ka shkruar ai.