Agim Cana shpërthen pas humbjes së Vëllaznimit: Nuk mundemi kundër mafias

Kryetari i skuadrës së Vëllaznimit, Agim Cana, ka shpërthyer pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Trepçës 89.

Sport

01/06/2019 19:39

Vëllaznimi u mposht me rezultatin 4:2 në ndeshjen kundër Trepçës 89, ndeshje e cila ishte e vlefshme për barazhin që siguron një biletë për Superligën.

Ankesa të shumta pati pas ndeshjes për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtaret e takimit, e kjo është vërejtur edhe nga fjalimi që Cana u mbajti lojtarëve të tij në dhomën e zhveshjes.

“Ta bëjnë drejtësinë në vend. Përderisa punojnë me shitblerje, me bastore, me: ‘njoh këtë, njoh atë’, kurrë s’kemi për të ecur përpara. Nuk mund të përballemi kështu me mafien. Bravo u qoftë për punën që kanë bërë. Duhet që ky popull, këta sportistë shembullorë e profesionistë të luftojnë këtë pisllëk. Të mos luajnë me vëllezërit, me fëmijët tanë, me familjet tona. Se janë me qindra mijëra euro që shpenzohen për një pis, për një legen, për një hajdut, për një tradhëtar që ne hedh gjithë këtë mund që kemi bërë” dëgjohet të ketë thënë Cana, përcjell lajmi.net.

“Jam krenar për ju djema, ngrini kokën. Jeni sportista, nuk jeni bastexhinj. Keni karakter të fortë, nuk e shisni klubin. Ky është shembull për sportin.  Për të qenë sportistë, duhet të keni dhe kulturën e sportit. Nuk mundemi as me arbitra. Bravo nga zemra, edhe pse nuk mund të flasim të qetë. Ju e treguar kulturën e sportit, jo me mënyra të tjera. Nuk ka kundërshtar të madh.”

“Nuk flas për federatën. U panë shumë mirë, shumë qartë gjërat. Jetoj e punoj dhe shpresoj që njerëz të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm do të thonë në fund: ‘Stop’. Edhe të kenë kujdes se tani dhe më vonë, do të kenë punë me mua. Do t’ju tregoj më vonë se çfarë ka ndodhur.”

“Djema, ngriheni kokën. Sporti kështu është, ka të bukura, ka dhe gjëra të këqija. Jam i lumtur për ju. Jeta vazhdon. Më vjen mirë që nuk e ndërpretë ndeshjen. Duhet të dalë dikush, t’u thotë stop pisllëqeve.”

“Ju faleminderit! Tani do të merret Prokuroria me këtë punë. Tani qetësohuni”, ishin fjalët e kryetarit të Vëllaznimit.

Qyteti i Gjakovës edhe këtë edicion do të mbetet pa asnjë skuadër në Superligën e Kosovës.

Më poshtë mund ta shihni edhe videon e siguruar nga ‘Klan Kosova’, ku kryetari i Vëllaznimit shihet duke ju folur lojtarëve të tij. /Lajmi.net/