Agim Bahtiri e fut Partinë e Drejtësisë në qeverisje
Shkarkimi i gjashtë drejtorëve, duket se ka shërbyer që koalicioni qeverisës në Mitrovicë të përforcohet edhe me një parti politike. Kjo pasi që kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka emëruar katër drejtorë nga LDK-ja, dy nga AKR-ja dhe një nga PD-ja.

Lajme
Ky i fundit vjen nga një parti politike e cila deri më tash ka qëndruar në opozitë në Mitrovicë. Madje, asamblisti dhe kryetari i PD-së, Vesel Neziri, në muajin qershor të këtij viti kishte dalë në një konferencë për media me udhëheqësin e VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, duke thënë se tash e tutje këto dy parti opozitare do të veprojnë si trup i përbashkët në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.
Sead Gashi, është drejtori i Drejtorisë së Ambinetit dhe Pyjeve, i emëruar sot nga kryetari Agim Bahtiri, i cili përmes një komunikate për media ka treguar se ky post do t’i takoj PD-së, shkruan Veriu.info.
Ndryshe, më 29 qershor Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me degën e PD-së në këtë Komunë, si dhe me “Të Pavarurit e Mitrovicës” që përfaqësohen në Kuvend Komunal. Kjo marrëveshje thuhej se kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve brenda Kuvendit Komunal të Mitrovicës, me ç’rast thuhej se asamblistët e këtyre subjekteve tani e tutje do të funksionojnë si një grup i vetëm i asamblistëve.
Në një bisedë për Veriu.info, asambleisti nga radhët e VV-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, Latif Latifi, ka thënë se tash e tutje nuk kanë arsye veprimi e dakordimi me PD-në, pasi që ky subjekt tashmë është pjesë e koalicionit qeverisës.
“Po është e vërtetë se ka qenë një koordinim mes neve për veprim të përbashkët në kuvend. Mirëpo për veprim jashtë kuvendit nuk ka pasur marrëveshje, pasi që ne si subjekte të ndryshme kemi vepruar, duke e përfaqësuar secili ideologjinë e subjektit të vetë. Pra, marrëveshja ka qenë vetëm për veprim brenda kuvendit”, ka thënë Latifi.
I pyetur se a do të veprojnë së bashku si opozitë, Latif Latifi i VV-së ka thënë se beson që asambleisti i PD-së do të jetë parimor në kryerjen e detyrave të tij.
“Ne do veprojmë sipas parimeve tona, gjithnjë në interes të qytetarëve dhe nuk do t’i zhgënjejmë asnjëherë. Kurse për PD-në mbetet të shohim si do të veproj tani e tutje. Tani nuk kemi arsye veprimi e dakordimi për veprim në kuvend, kur e dimë se tashmë PD-ja është pjesë e ekzekutivit e përfaqësuar me një drejtori”, përfundoj Latifi.