Afro një mijë veta nga lista e shoqatave të luftës nuk janë pranuar në UP
Rektorati i Universitetit të Prishtinës për herë të parë nuk ka pranuar të regjistrojë në studime të gjithë emrat e propozuar nga shoqatat e dala nga lufta.
Lajme
Afro një mijë veta, të cilët janë sjellë përmes listave të këtyre shoqatave, sivjet nuk do të mund të pranohen në UP, pasi që drejtues të saj pohojnë se nuk kanë asnjë mundësi ta bëjnë këtë, shkruan sot Koha Ditore.
Burime e gazetës bëjnë të ditur se për këtë çështje, se ditëve të fundit është zhvilluar një debat i gjerë ndërmjet Rektoratit të UP-së, Ministrisë së Arsimit dhe shoqatave të dala nga lufta.
Vendimi për të mos pranuar në studime të gjithë emrat e propozuar në këto lista, tashmë është miratuar edhe në Senat.
Diskutimin e kësaj çështjetje e ka pranuar edhe vetë rektori Ramadan Zejnullahu.
“Është e vërtetë se çështja e regjistrimit të studentëve sipas listave të hartuara nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së është diskutuar si me vetë shoqatat, ashtu edhe me ministrin e Arsimit, Ramë Buja”, ka thënë Zejnullahu.
“Ekziston një vlerësim i përbashkët i MASHT-it dhe UP-së se Universiteti i Prishtinës ka vështirësi në rritjen e mëtejshme të numrit të studentëve, por gjithashtu ekziston edhe përcaktimi për zbatimin e kritereve dhe procedurave me rastin e pranimit të studentëve të rinj”, ka thënë për Koha Ditore, rektori Zejnullahu.