Afrika Perëndimore e mbërthyer në unionin monetar të Francës

Të rinjtë afrikanë përgëzojnë zëvendësministrin italian Di Maio për kritikën ndaj Francës. Ai u shpreh se franga CFA (CFA-Franc) në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore është shkaktare për emigracionin e afrikanëve.

Bota

06/02/2019 09:18

Më në fund njëri, që e thotë me zë të lartë. Kështu reaguan ndjekësit e DW-së ndaj kritikës, që zëvendëskryeministri italian Luigi di Maio i bëri politikës së Francës ndaj Afrikës. „Franca është ajo mushkonja tjetër, që i thith gjakun Afrikës”, shkruan Sam Uel nga Benini, „me të gjitha konsekuencat”. Ndërsa Eyongettiene Ebot nga Kameruni e aprovon me fjalët: „Më në fund dikush ia vë emrin problemit, përgëzime. (PM) Kryeministër Luigi!”

Di Maio, njëri nga drejtuesit kryesorë të partisë më të fortë italiane „MoVimento 5 Stelle”, bëri këtë konstatim: „Franca mban përgjegjësinë kryesore për valët e emigracionit nga Afrika. „Nëse ka njerëz që ikin, atëherë për shkakun se disa vende evropiane – sidomos Franca – nuk kanë pushuar kurrë së kolonizuari Afrikën.

Bashkimi Monetar nën kritikë

Bashkimi Evropian (BE) duhet ta ndëshkojë Francën, që i shpie afrikanët në varfëri, tha italiani. Si dëshmi për gjoja nënshtrimin e vazhdueshëm partia e tij i referohet monedhës së katërmbëdhjetë vendeve në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, nga Senegali dhe Çadi deri në Republikën e Kongos. Shumica janë koloni të dikurshme franceze. Ata përdorin frangën CFA. (CFA-Franc)

Monedha ndahet formalisht në dy zona monetare me bankat e tyre qendrore në Dakar dhe Yaoundé, kryeqytetet e Senegalit dhe Kamerunit. Por monedhat lidhen me euron me të njëjtin kurs këmbimi dhe si rrjedhojë janë të këmbyeshme. Këtu bëjnë pjesë disa nga vendet me të ardhurat më të ulëta në botë. Gjithsej 150 milionë njerëz përdorin frangën CFA. CFA-Franc.

Me komentet e tij zëvendëskryeministri italian Di Maio, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Ekonomisë dhe i Punësimit, shkaktoi një krizë diplomatike me fqinjin e tij evropian, Francën. Nga ana tjetër në Afrikë dhe veçanërisht në zonën CFA ai fitoi shumë respekt. “Imperializmi francez shkakton dëme të mëdha, veçanërisht në vendet me të ardhura të mesme si Bregu i Fildishtë”, shkruan kongolezi Louis Eliwo në Facebook. “Pse është ende në fuqi ky pakt kolonial?”

Shkaktar i emigracionit?

Megjithatë, duke e cilësuar bashkimin monetar si shkakun e ikjes në emigracion, Di Maio ka shkaktuar konfuzion tek disa, thotë ekonomisti senegalian Ndongo Samba Sylla në intervistë me DW. “Nuk ekziston një lidhje direkte midis monedhës CFA dhe valës së emigrimit drejt Evropës. Në Evropë nuk vijnë aq shumë migrantë nga zona e CFA-së”. Ai mendon se ndërlidhja është pak e ekzagjeruar. “Po, franga CFA (CFA-Franc) i varfëron vendet afrikane, megjithatë vala e migracionit nuk ka të bëjë fare me të.” Di Maio e ka përdorur monedhën më shumë si mjet për të arritur synimin e tij, thotë Sylla, që punon në Dakar për Fondacionin Rosa Luxemburg. “Kjo është një mosmarrëveshje evropiane: Italisë i ka ardhur në majë të hundës nga trajtimi arrogant nga francezët i politikës së saj të migracionit dhe ka dashur të dëmtojë publikisht imazhin e Francës”.

Në fakt nga emigrantët, që kanë hyrë në Itali përmes detit Mesdhe në vitin 2018, shumë pak janë nga vendet, që i përkasin zonës së monedhës CFA. Sipas statistikave të UNHCR-së shumica e emigrantëve vinjnë nga Guinea, të ndjekur nga Maroku, të dy ish koloni franceze, të cilat nuk janë pjesë e zonës monetare. Mali dhe Bregu i Fildishtë janë të vetmet vende të kësaj zone monetare, prej nga kanë ardhur një numër i madh emigrantësh në Evropë. Mali me 10 000 emigrantë zë vendin e tretë në statistikë dhe Bregu i Fildishtë me 6000 migrantë zë vendin e tetë.

Franca përfiton nga Afrika

Megjithatë Franca përfiton ende sot nga sistemi monetar i frangës CFA (CFA-Franc), thotë Sylla. Ky sistem bazohet në marrëveshjet tregtare të nënshkruara në këmbim të pavarësisë së vendeve afrikane. Franca me këto traktate të vjetra i siguron vetes akses të privilegjuar në burimet natyrore të ish-kolonive të saj. “Zona jonë monetare është e varur nga eurozona. Kjo do të thotë: vendet si Nigeria dhe Republika e Afrikës Qendrore – dy nga vendet më të varfra në botë – kanë një sistem monetar, që reflekton atë që po ndodh në eurozonën e pasur. Kjo është një çmenduri e plotë”.

Atdheu i dikurshëm mëmë përmes partneritetit siguron treg për produktet e tij, akses në lëndë të para të lira, si dhe ndikim politik dhe ushtarak. Për afrikanët nga ana tjetër një monedhë e mbivlerësuar do të thotë norma të larta interesi, me rrjedhojë borxhe të larta, barriera tregtare dhe një rritje të dobët ekonomike.

Ëndrrat për t’u shkëputur nga Euro

Argumenti, se franga CFA është përgjegjëse për rritjen e ulët ekonomike të këtyre vendeve, nuk vlen për Tobias Stöhr nga Instituti për Ekonominë Botërore në Kiel. Arsyet kryesore për mungesën e zhvillimit të këtyre vendeve vijnë më shumë nga qeverisja e keqe dhe korrupsioni, thotë Stöhr në bisedë me DW. “Lidhja me euron nga ana tjetër u ofron vendeve të Afrikës Perëndimore në veçanti një stabilitet shumë të lartë çmimesh. Inflacioni është i ulët, gjë që siguron një klimë të mirë investimi”, thekson Stöhr.

Kjo i krijon zonës përfitime edhe brenda Afrikës. “Shumica e vendeve në këtë zonë janë ekonomi bujqësore. Po të zhvlerësohej fort monedha, do të sillte çmime të larta, sidomos të importeve të naftës nga vendet fqinje”. Mendim të ngjashëm ka edhe Paul Mellynga nga Think tanku britanik Chatham House. Ndërsa blloku i Afrikës Qendrore, i varur nga eksportet e naftës, i nënshtrohet luhatjeve të forta të çmimeve, tregu rajonal me zhvillim të mirë mund t’i mundësojë bllokut afrikanoperëndimor, që bashkarisht të çlirohen nga euroja, vlerëson Melly.

Përse atëherë Afrika Perëndimore vazhdon të mbështetet në paktin e vjetër kolonial? Pyetja e ndjekësit të DW Louis Eliwo përmban një përgjigje të shkurtër për ekonomistin Ndongo Samba Sylla: “Presidentët tanë ndjejnë më shumë përgjegjësi ndaj Francës sesa ndaj njerëzve të tyre”, kritikon ai qeveritë. Lufta për daljen nga euro i mbetet kështu një grupi të popullsisë së re – gjithësesi tani me pak  përkrahje nga Italia. /DW