Afganistani po boshatiset: Qytetarët braktisin vendin, shkak lufta mes talebanëve dhe ISIS
Eksodi njerëzor si pasojë e ISIS nuk është ndalur vetëm me Sirinë dhe Irakun. Mijëra afganë nga provinca lindore e Nangarharit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pas betejave mes luftëtarëve talebanë dhe ISIS.
Bota
Sipas zëdhënësit të qeverisë së rajonit, bëhet fjalë për qindra familje që braktisin shtëpitë e tyre dhe i drejtohen qendrave të mëdha urbane. Ai gjithashtu shtoi se perleshjet e armatosura mes talebaneve dhe ISIS po vazhdojnë prej javësh dhe se të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha.
Synimi kryesor i te larguarve është qyteti lindor i Xhalalabadit. Zëdhënësi gjithashtu deklaroi se të larguarit kanë nevojë urgjente për gjërat bazë në vendet ku mbërrijnë.
Në një intervistë të para disa kohëve për një televizion rus, ish-Presidenti afgan Hamid Karzai tha se nëse në ditët dhe muajt në vazhdim, do të shihet që ISIS forcohet në Afganistan, kjo, sipas tij, do të thotë që është një shtet i huaj i cili ka interes të destabilizojë Azinë Qëndrore.
Në prill të këtij viti, lideri i Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, Abu Bakr al Bagdadi e quajti ‘budalla dhe analfabet’ liderin taliban Mullah Omar. Pas kësaj, të dy grupet terroriste kanë deklaruar xhihad kundër njëri – tjetrit.