Afër 1.5 milion turistë në Shqipëri, shumica nga Kosova

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar ka publikuar sot të dhënat e para mbi hyrje-daljet e personave dhe automjeteve në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit. Sipas Genc Merepezës, shefi i kufirit, fluksi i vizitorëve në këtë sezon veror është në rritje, me rreth 381 mijë shtetas më shumë se viti i kaluar.

Lajme

16/08/2014 20:02

Shefi i kufirit shqiptar, ka theksuar se gjatë kësaj periudhe vetëm shtetas të huaj kanë hyrë rreth 1 milionë e 350 mijë e 404 shtetas, ku pjesa më e madhe e tyre vjen nga Kosova. 

“Ka patur një rritje të numrit të shtetasve të huaj që kanë ardhur për të shfrytëzuar plazhet e Shqipërisë, pra për të pushuar. Ky numër prej 1 milionë e 350 mijë e 404 shtetas, ku pjesa më e madhe e tyre vjen nga Kosova, por nuk ngelet pa u përmendur ardhja e turistëve të huaj nëpërmjet portit të Durrësit dhe Sarandës me kroçiera me pushime ditore apo të pushuesve të tjerë me mjete lundruese që kanë ardhur në portet e vendit tonë për të shfrytëzuar bukuritë e rivierës shqiptare,” tha Genc Merepeza, shefi i kufirit. 

Më tej Merepeza garantoi për pushuesit siguri dhe qetësi në plazhe falë masave dhe angazhimeve që ka marrë Policia e Shtetit dhe ajo kufitare. 

“Policia kufitare ka detyra specifike edhe për sigurinë në plazhe, për t’iu ardhur në ndihmë shtetasve sidomos kur atyre iu rrezikohet jeta. Policia e shtetit për këtë periudhë është e angazhuar për ta mbyllur me sukses sezonin turistik 2014 me qëllim që siguria në pikat e kalimit në rrugë dhe në plazhe të jetë në parametrat e duhur”. 

Policia e Shtetit ka deklaruar se prej kohësh ka marrë masat për përballimin e situatës , si nga ana e lehtësimit të kalimit në dogana por edhe në rritjen e sigurisë në vend.

Në funksion të shpejtimit dhe të mos krijimit të radhëve të gjata në kufi Policia e Shtetit deklaron se në pikat e kalimit me fluksin më të madh, janë shtuar 55 poste pune të kompletuara me personel dhe se po punohet me sistem 12 orësh. 

Hyrje-daljet sipas muajve – krahasuar me vitin e kaluar 

Qershor 2014 – 1 milionë e 261 mijë e 624 shtetas – Qershor 2013 – 1 milionë e 22 mijë e 294 shtetas, 

Korrik 2014 – 1 milionë e 774 mijë e 631 shtetas -Korrik 2013 – 1 milionë e 704 mijë e 640 shtetas, 

1-15 Gusht 2014 – 1 milionë e 418 mijë e 686 shtetas -01-15 gusht 2013 – 1 milion e 346 mijë e 134 shtetas, 

1 Janari -15 gusht 2014 – 9 milionë e 232 mijë e 850 shtetas – 1 janar-15 gusht 2013- 9 milionë e 138 mijë e 867 shtetas. (Kosovapress)