Aeroplani pëson defekt në Rinas

129 qytetarë që do të udhëtonin me avion nga Rinasi drejt Venecias, u gjendën përballë një problemi.

Lajme

19/10/2020 20:36

Avioni me të cilin ata do të fluturonin, i kompanisë “Wizz Air”, pësoi një defekt, duke bërë që pasagjerët të qëndronin për disa orë në pritje, njofton Vizion Plus.

Aeroporti i Tiranës sqaroi se qytetarët po presin në sallën e transitit deri në orën 20.50, kur parashikohet të kryhet fluturimi.

“Njoftojmë pasagjerët dhe familjarët e tyre, se fluturimi i kompanisë Wizz Air me destinacion Venecia parashikohet të kryhet sonte në ora 20.50. Për arsye teknike, fluturimi i parë është anuluar dhe një avion tjetër i Wizz Air është në nisje nga Shkupi për në aeroportin e Tiranës, për t’i transportuar pasagjerët më tej, në Venecia. Aktualisht 129 pasagjerët janë në sallën e transitit, me trajtimin nga kompania ajrore sipas procedurave të vonesave në fluturim”, njoftoi TIA.

Para sqarimit të TIA, në media qarkulluan lajme ku qytetarët ankoheshin se kishin qëndruar për disa orë të mbyllur në bordin e avionit. Sipas tyre, nuk kishin marrë asnjë shpjegim nga personeli i avionit.