Adriana Kalaja: Jam e frikësuar, ministri të merret me hajdutët e ndihmave, jo me denoncuesit

Aktivistja Adriana Kalaja ka dhënë një prononcim, pasi i shpëtoi arrestimit policor në pedonale, pranë Teatrit Kombëtar.

Lajme

02/12/2019 23:22

Ajo vetë ka rrëfyer se gjithçka ka ndodhur pasi denoncoi në facebook, pakot me ndihma që zbarkonin në Ministrinë e Brendshme.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku bën pjesë edhe Kalaja ka publikuar deklaratën e saj.

Adriana Kalaja apelon që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj të ndalojë reprezalen nga qytetarëve, aktivistëve dhe gazetarëve që denoncojnë abuzimet që po bëhen me ndihmat e njerëzve që kanë mbetur pa strehë nga termeti. Ajo kërkoi që të arrestohen hajdutët dhe jo denoncuesit.

“Nga ky pushtet kriminal çfarë nuk pret. Janë janë gjëra normale në këtë vend, kur denoncon një vjedhje pushteti të vihet nga pas… Policia nuk kap grabitësin, kap denoncuesin”, u shpreh ajo.

Më tutje, Kalaja përshkroi momentin kur u ndalua nga policia.

“Hapa xhamin e makinës dhe ju thashë se jam duke komunikuar me avokatin. Sapo hapa xhamin fusin dorën në mënyrë të dhunshme dhe më terhoqën zvarrë për të më futur në makinën e policisë. Iu kërkova fletën e shoqërimit. Si ka mundësi që vijnë 6 vetë, grabitës edhe pengmarrës me uniformë policie dhe thonë të shoqëroj në komisariat…?!

Për fatin tim të mirë erdhët ju (aktivistët e tjerë të Aleancës) dhe më shpëtuat nga banditët. Jam e kërcënuar dhe e frikësuar nuk kam bërë asgjë, kam bërë vetëm një denoncim. Ministri Lleshaj të merret me ata që po i vjedhin ndihmat jo me denoncuesit”. /abcnews.al