Adresojeni korrupsionin

Komisioneri Fule e sheh të nevojshme që Strategjia Kombëtare e Kosovës për Integrim Europian të përqendrohet në çështjet ndër-sektoriale si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, qeverisja, si edhe përfshirja e mëtutjeshme e grupeve të interesit.

Lajme

12/11/2013 14:04

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule, ka thënë se Strategjia Kombëtare e Kosovës për Integrim Europian është e nevojshme që të përqendrohet në çështjet ndër-sektoriale si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, qeverisja si edhe përfshirja e mëtutjeshme e grupeve të interesit.

Fule i ka shkruar letër Presidentjes Jahjaga pas miratimit të kësaj strategjie, përmes së cilës ka thënë se është i inkurajuar me rëndësinë që i është dhënë Reformës së Administratës Publike, si një element thelbësor në realizimin e reformave.

“Këtë çështje e kanë theksuar edhe Raportet e njëpasnjëshme të Progresit, si dhe nevojën jo vetëm për të modernizuar por edhe për të ndarë nivelin e vendim-marrjes politike nga niveli ekzekutiv”.

Fule ka falenderuar Jahjagen që ka ndarë me Komisionin Evropian Strategjinë Kombëtare të Kosovës për Integrim Evropian.

“Kjo strategji përbën një dokument të dendur që përmban një vlerësim akut dhe realist se ku gjendet Kosova aktualisht dhe ku dëshiron të jetë në vitin 2020. Unë përshëndes sinqeritetin e treguar në këtë ndërmarrje si dhe ambicien tuaj. Llogaritni në mbështetjen time për natyrën e këtyre synimeve si dhe për t’ju ndihmuar në arritjen e tyre”.

“Strategjia Juaj Kombëtare nuk është thjeshtë një dokument por gjithashtu është edhe një proces. E vlerësoj konsultimin e gjerë që e keni ndërmarrë gjatë hartimit të dokumentit dhe miratimin e tij nga Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, këshill ky që e kam mbështetur fuqimisht meqë forcon konsensusin për vizionin evropian të Kosovës”.

Sipas Fules, strategjia ngërthen në vetvete një gamë të gjerë temash.

“Unë besoj se ju, ashtu siç thekson ky dokument, do të  arrini të përfshini këtë vizion afatgjatë për Kosovën në dokumentet e tjera strategjike që do të shërbejnë për të zbatuar këtë vizion”.

“Pak pasi që ma dërguat strategjinë, Komisioni Evropian dhe Kosova hapën negociatat mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, hap i parë formal në integrimin tuaj evropian. Për të zbatuar MSA’në dhe për të treguar gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë obligime tjera evropiane, duhet të menaxhoni një program të gjerë reformash të BE-së që mbulojnë të gjitha fushat e acquis”.

Fule thotë se pret hapa të mëtutjeshëm në këtë proces, për të zbatuar Strategjinë tuaj Kombëtare nëpërmjet dokumenteve tjera strategjike.

“Kam kërkuar nga departamentet e mia përkatëse, të cilat drejtojnë Dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit, për të integruar Strategjinë tuaj Kombëtare për Integrim Evropian në diskutimet e tyre dhe për t’i shikuar me vëmendje disa nga çështjet e ngritura në këtë dokument”.