Adresimi i Sfidave
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE'së, Samuel Zbogar, thotë se Raporti i Progresit 2013 duhet të shihet si një udhërrëfyes që gjërat të përmirësohen në të ardhmen. Ai rendit katër çështjet kryesore, në përmbushjen e të cilave kërkohet përkushtim institucional.

Institucionet e Kosovës kanë marrë sot zyrtarisht Raportin e Progresit për vitin 2013, i cili flet për arritjet, por edhe për ngecjet, që cilat kanë ndodhur gjatë një viti.
Gjatë paradites, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, personalisht ua dorëzoi nga një kopje të këtij raporti, Presidentes Atifete Jahjaga, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Pasdite, në Qendrën Kulturore në Prishtinë, Zbogar mbajti një konferencë shtypi, në të cilën ka dhënë vlerësimet e tij për raportin.
Ai tha se Raporti i Progresit 2013 duhet të shihet si një udhërrëfyes që gjërat të përmirësohen në të ardhmen.
Samuel Zbogar, para mediave, renditi katër çështjet kryesore, në përmbushjen e të cilave ai tha se duhet të përkushtohen institucionet e Kosovës.
“E para, sigurisht është njëra prej çështjeve më themelore për normalizimin e marrëdhënieve të vetë Kosovës, të jetës në Kosovë, është marrëdhënia e Kosovës me Serbinë. Kjo është njëra prej çështjeve që Kosova duhet të fokusohet.”
“E dyta, ne duhet të punojmë, Kosova duhet të punojë, në një qeverisje efektive, një qeverisje demokratike, në forcimin e qeverisjes demokratike. Këtu janë dy elemente të rëndësishme. E para, sigurisht është e lidhur me zgjedhjet. Zgjedhjet e nëntorit duhet të jenë të lira dhe fer, transparente dhe të respektojnë ligjin. Dhe, elementi i dytë, është forcimi i rolit të Kuvendit -si një institucion që duhet të krijojë balancë në mes të fuqisë së ekzekutivit në vend”.
“Çështja e tretë, është që të vazhdohet të punohet në sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit vazhdon të jetë prioritet dhe është një gur-themel për procesin e MSA’së. Në të ardhmen ne duam që të shohim më shumë punë të bërë në pavarësimin e gjyqësorit, që të punojnë më shumë çështje të pazgjidhura, dhe duke shmangur ndikimet në vendimet e gjyqësorit.”
“Çështja e katërt është qeverisja ekonomike. Në të ardhmen ne do të fokusohemi që të përmirësojmë situatën ekonomike, dhe të zbusim papunësinë, të përmirësojmë konkurrencën dhe ambientin biznesor, të mbështesim sektorin privat dhe gjithashtu të përmirësojmë edhe situatën sociale në Kosovë.”
Zbogar ndër të arriturat kryesore gjatë kësaj periudhe tha se janë këto: përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, përfshirja konstruktive e serbëve në dialogun me Kosovë, progresi i Kosovës drejt regjimit pa viza. Po ashtu, si e arritur u vlerësua edhe ruajta dhe forcimi i konsensusit të gjerë politikë për çështjen e integrimeve evropiane, e po ashtu, edhe angazhimi dhe mbështetja e opozitës gjatë gjithë këtyre proceseve.