Adresa në të djathtë
Ramush Haradinaj thotë në Pejë se AAK është e djathta shqiptare. Numrat tjerë në fletëvotim i quan humbje kohe. Sipas tij, Peja po i ndihmon Kosovës në procese të mëdha.

Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar sot votën e qytetarëve të Pejës.
Ai u ka rekomanduar pejanëve që ta votojnë numrin 62 dhe t’ia vazhdojnë Ali Berishës qëndrimin në krye të Komunës edhe për katër vjetët e ardhshme.
Haradinaj tha se me projektin e Aleancës, Peja po i ndihmon Kosovës në procese të mëdha.
“Fatmirësisht po vërtetohet që edhe në këtë projekt të demokracisë, pra me Aleancën, Peja po i bën një ndihmesë të madhe proceseve në jetën tonë, në shtetin tonë të ri, në Kosovën e pavarur”.
“Mos harroni, me drejtimin që keni marrë, duke e ditur çka po doni, duke i dhënë jetë Aleancës, duke e forcuar Aleancën, ju po e bëni një punë të madhe që po vlerësohet edhe tash, por do të vlerësohet edhe në të ardhmen. Do të na thonë: Faleminderit që keni ditur në kohë me u nisë, që keni ditur të bëheni bashkë dhe që keni ditur ‘i jepni Kosovës procese demokratike”.
“Vota ime është për Ali Berishën, është edhe juaja. Numri 62 është yni, i të gjithëve. Numri i 62 është i të djathtës shqiptare. E djathta shqiptare këtu e ka adresën më të sigurt, më të qëndrueshme, më të vërtetë. Adresat tjera mos i shihni, numrat tjerë mos i shihni, se është humbje kohe dhe humbje e votës”.
“Ju premtoj se Kosovës po i vijnë ditë të mira, për ditë të mira që keni do t`i jetoni në Pejë”.
Ndërsa Kandidati i AAK’së, Ali Berisha, e ka shpalosur programin që do ta realizojë në rast se do të marrë edhe një mandat.
“Programi ofertë për qytetarët e kësaj Komune, të cilin e krijuam duke iu referuar kërkesës suaj për periudhën 2013-2017, ka si synim t’i sigurojë Pejës një të ardhme të qëndrueshme, të dinjitetshme, e qytetarëve një jetë më të mirë dhe punësim më të suksesshëm”.
“Orientimet tona në programin e ri katërvjeçar do të jenë me investime në efektet të drejtpërdrejta në zhvillimin e ekonomisë të qytetit tonë.”
“Do të ndahen mbi 5 pesë milionë euro për mbështetje të ekonomisë së vogël dhe të mesme, industrisë së lehtë përpunuese, turizmit si synim strategjik i zhvillimit tonë dhe agrobiznesit në të gjithë sektorët e tij”.
Ai ka premtuar investime ne arsim, kulturë, shëndetësi, edhe në sferën sociale – ku do të ndërtojë rreth 100 banesa për të pastrehët.
“Ne besojmë që në zgjedhjet që po vijnë Kryeministër i Kosovës do të jetë lideri i pakontestueshëm, njeriu i punës dhe i fjalës, njeriu i sakrificës së madhe për Kosovën, Ramush Haradinaj”.