Adoleshentja e ISIS-it merr ndihmë juridike për rastin e shtetësisë

Shamima Begumit, e cila i është bashkuar grupit militant Shteti Islamik kur ka qenë 15 vjeçe, i është dhënë ndihmë juridike për të luftuar vendimin për t'ia marrë shtetësinë britanike.

Bota

15/04/2019 18:42

Shamima, tani 19 vjeçe, ka udhëtuar nga Londra drejt Sirisë në vitin 2015.

Asaj i është marrë shtetësia britanike në shkurt, pasi është gjetur në një kamp refugjatësh në Siri dhe ka thënë se dëshiron të kthehet në Britani.

Familja e saj ka thënë më herët se planifikon ta sfidojë vendimin, përcjell rel.

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se vendimi i Agjencisë për Ndihmë Juridike për të ndihmuar Shamiman e bën situatën “të pakëndshme”.

Megjithatë, ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar është “një vend që beson se njerëzit me mjete të kufizuara duhet të kenë qasje në burimet e shtetit, nëse duan t’i sfidojnë vendimet që shteti i ka marrë rreth tyre”.

Ndihma juridike është ndihma financiare e siguruar nga tatimpaguesit për ata që nuk janë në gjendje të përballojnë vetë përfaqësimin ligjor, pavarësisht se a bëhet fjalë për një të akuzuar për krim apo një viktimë që kërkon ndihmën e një avokati gjatë procesit gjyqësor.