Administrimi i mirë i tokës, fondamentale për qeverisje të mirë (Video)

Administrimi i tokës dhe kadastrës së bashku me infrastrukturën e të dhënave hapësinore janë vlerësuar si fondamentale për një qeverisje të mirë, në konferencën e tetë regjionale për Kadastër dhe Infrastrukturën e të dhënave hapësinore, me titull “Kadastra shumë qëllimore në procedurat e administrimit të tokës”.

Lajme

16/06/2015 13:26

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani tha se Qeveria e Kosovës pos aspektit profesional, administrimit të tokës dhe kadastrës i ka dhënë edhe trajtim social, duke i kushtuar rëndësi të veçantë qytetarëve në përgjithësi, dhe kategorive të ndjeshme si grave, banorëve të zonave rurale, pakicave etnike në veçanti.

Agani shtoi se Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka implementuar infrastrukturë moderne për administrimin e tokës. Sipas tij, praktikat e marra nga vendet tjera kanë ndikuar që të ketë një ngritje e kualitetit të administrimit të tokës, kadastrit dhe të dhënave hapësinore.

“Sikur shumë shtete të zhvilluara që kanë projektuar, zhvilluar dhe përdorur tokën si burim të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të tyre, edhe Kosova që nga themelimi i saj si shtet i pavarur në vitin 2008, ka implementuar një infrastrukturë moderne të administrimit të tokës, kadastrës dhe të dhënave hapësinore, benefitet e të cilës janë të përditshme e të pandalshme për qytetarët tanë”, tha Agani.

Kryeshefi i Agjencisë së Kadastrit të Kosovës, Murat Meha tha se rritja rapide e vëllimit të të dhënave gjero-hapësinore, siç është sistemi i fuzionimit global, po ndikojnë në mënyrë se si shoqëritë e sotme po përdorin, shohin dhe ruajnë të dhënat gjeo-hapësinore.

“Reforma kadastrale apo përmirësimi duhet të fokusohet në funksionet e kadastrit dhe në veçanti proceset kyçe që ndërlidhen me gjykimin, transparencën dhe ndarjen e të drejtave të pronës”, theksoi Meha.

Në këtë konferencë kanë folur edhe përfaqësuesit e vendeve të regjionit, të cilët kanë paraqitur rëndësinë e administrimit të tokës dhe kadastrit.

Përfaqësuesi i zyrës Qendrore për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Shqipëri, Ilirian Muho tha se në mënyrë që toka të administrohet më mirë, fillimisht duhet ta njohin atë, derisa ka paraqitur edhe hapat e parë të ndërtimit të kadastrit shumë qëllimor në Shqipëri.

Ndërsa, përfaqësuesi nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës Tomislav Tomiq theksoi se vendi i tij ka filluar tash e dhjet vjet me përdorimin e kadastrit shumë qëllimor.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër, me prezantimet e përfaqësuesve të vendeve tjera, si nga Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Sllovenia e vende tjera.

YouTube player