Administrata Biden synon ta ndryshojë politikën e sanksioneve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po shikon mundësinë që të shfuqizojë politikën e sanksioneve, që është përdorur shumë si mjet i politikës së jashtme nga paraardhësi i tij, raportoi Wall Street Journal.

Bota

06/07/2021 19:00

Administrata Biden po shqyrton mundësinë që të punojnë më ngushtë me aleatët dhe të shmangë masat që mund të kenë ndikim negativ përtej caqeve të synuara, raportoi gazeta Wall Street Journal.

Kjo politikë e re e administratës amerikane pritet të prezantohet në fund të kësaj vere, pas rishikimit të administratës, tha gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.

Kjo politikë e administratës Biden me gjasë do të paraqesë një ndryshim rrënjësorë nga ajo e administratës paraprake të Donald Trumpit, ku u vendosën sanksione ekonomike ndaj shteteve si Irani, Koreja e Veriut dhe Venezuela, duke synuar që të ndryshojë sjelljen e këtyre shteteve.

Përderisa sanksionet e njëanshme nga Trumpi bën që ekonomitë e Venezuelës dhe Iraint të hynin në recesion dhe që Koreja e Veriut të nxirrej jashtë tregjeve ndërkombëtare, këto masa nuk ndikuan shumë në sjelljen e këtyre shteteve, duke ngritur pyetje për efikasitetin e sanksioneve, tha gazeta amerikane.

Ndërkaq, administrata Biden dëshiron që të koordinojë sanksionet me aleatët, duke thënë se një gjë e tillë do të ndihmojë në zbatimin më të madh të tyre, duke rritur kështu edhe ndikimin e sanksioneve. Kritikët thonë se do të duhet shumë kohë që të arrihet konsensus me aleatët për çështje të tilla dhe kjo do të mund të shtynte SHBA-në që të bëjë kompromise, që do të mund të lëndonin sigurinë kombëtare.

Paralajmërimi për ndryshimin e kësaj politike vjen në kohën kur administrata Biden po përballet me presion nga Kongresi për të vendosur më shumë sanksione, me qëllim që të ndalet projekti i gazsjellësit rus “Rrjedha Veriore 2”.

Ky projekt – nëse përfundohet dhe fillon të operojë – do të dërgonte gaz natyral nga Rusia në Gjermani, përmes Detit Baltik, duke shmangur kështu rrugën përmes Ukrainës.

Republikanët dhe Demokratët në Kongres thonë se ky gazsjellës do të forconte ndikimin e Kremlinit mbi industrinë e energjisë në Evropë dhe do të kërcënonte sigurinë kombëtare të Ukrainës. /REL