Ademi uron Prishtinën për kualifikimin, përgëzon Dritën për paraqitjen mahnitëse

Dy skuadrat kosovare kanë vazhduar me paraqitje fantastike në Evropë.

Sport

29/07/2021 22:38

Prishtina është kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës pasi mposhti Connah’s Quay me rezultat të përgjithshëm 6-5, shkruan lajmi.net.

Një gjë të tillë ishte shumë afër ta bëjë edhe Drita por gjilanasit u mposhtën në fund nga Feyenoordi 3-2.

Pas ndeshjes kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka përgëzuar dy skuadrat kosovare për paraqitjet në Evropë, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Postimi i plotë i Agim Ademit pa ndërhyrje:

Urime Prishtina për kualifikimin, përgëzime Drita për paraqitjen mahnitëse

Të dashur miq, sonte dua t’i shpreh urimet më të mira kampionit tonë, FC Prishtina për kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës, që ndonëse më vështirë se sa pritej arriti ta ruajë epërsinë nga ndeshja e parë ndaj kampionit të Uellsit, Connah’s Quay Nomads.

Kalimi në fazën e tretë të kësaj gare është parasegjithash meritë e futbollistëve, por edhe dëshmi e punës së mirë të shtabit teknik dhe drejtuesve të klubit.

Me këtë rast dua t’i uroj të gjithë për këtë sukses, e po ashtu edhe tifozët ‘Plisat’, të cilët pa dyshim iu kanë gëzuar më së shumti këtij suksesi.

Jam i vetëdijshëm se faza tjetër sjellë rivalë edhe më të fortë, por shpresoj që Prishtina do të vazhdojë të tregohet e suksesshme në këtë edicion të garave evropiane.

Në anën tjetër Drita edhe pse nuk e pati fatin të kalojë tutje në këtë garë, na prezantoi me paraqitje mahnitëse kundër gjigantit holandez, Feyenoord.

Loja e treguar në të dyja ndeshjet nga ana e futbollistëve të Dritës ndaj 15 herë kampionëve të Holandës përveç se vërtetoi rritjen e cilësisë së kampionatit tonë, njëherësh e promovoi futbollin tonë në mënyrë të shkëlqyeshme në zemër të Evropës.

Edhe pse në fund Drita u eliminua, pa dyshim se kjo paraqitje do t’i shërbejë si përvojë e mirë për rritje të mëtutjeshme në çdo aspekt.

Ju lumtë për emocionet që na i dhuruat! /Lajmi.net/