Ademi takon prindërit e Yll Gashit dhe Edon Zhegrovës: Shpresoj që futbollistët t’i shohim së bashku me fanellën e Kosovës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka zhvilluar një drekë të përbashkët në Prishtinë me Hashim Gashin, babain e Yll Gashit, talentit të ri që luan për akademinë e Bayern Munich dhe Lulzim Zhegrovën, babain e yllit të njohur të futbollit kosovar, Edon Zhegrova. Përmes një postimi në Facebook, Ademi e ka cilësuar takimin si të…

Sport

07/08/2025 14:18

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka zhvilluar një drekë të përbashkët në Prishtinë me Hashim Gashin, babain e Yll Gashit, talentit të ri që luan për akademinë e Bayern Munich dhe Lulzim Zhegrovën, babain e yllit të njohur të futbollit kosovar, Edon Zhegrova.

Përmes një postimi në Facebook, Ademi e ka cilësuar takimin si të ngrohtë dhe të mbushur me respekt të ndërsjellë, të bashkuar nga dashuria për futbollin dhe për Kosovën, raporton lajmi.net

“Sot në Prishtinë pata kënaqësinë të jem në drekë të përbashkët me Hashim Gashin dhe Lulzim Zhegrovën. Ishte një takim i ngrohtë, ku përveç respektit të ndërsjellë, na bashkoi edhe dashuria për futbollin dhe Kosovën,” ka shkruar Ademi.

Ai shtoi se, ndonëse sot pati në tavolinë prindërit e dy futbollistëve, shpreson që shumë shpejt t’i shohë edhe vetë Yll Gashin dhe Edon Zhegrovën së bashku në fushën e gjelbër me fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Yll Gashi konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit kosovar jashtë vendit, ndërsa Edon Zhegrova është një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit kombëtar, aktualisht pjesë e Lille në Francë, me interesim të raportuar edhe nga klube të mëdha si Marseille.

Postimi i plotë:

“Sot në Prishtinë pata kënaqësinë të jem në drekë të përbashkët me Hashim Gashin, babanë e Yll Gashit (talentit premtues të Bayern Munich) dhe Lulzim Zhegrovën, babanë e yllit tonë të njohur, Edon Zhegrova. Ishte ky një takim i ngrohtë, ku përveç respektit të ndërsjellë, na bashkoi edhe dashuria për futbollin dhe Kosovën.
Sot i pata në tavolinë prindërit e tyre, por shpresoj dhe besoj që shumë shpejt do t’i kemi së bashku edhe dy futbollistët në fushën e gjelbër me fanellën e Kombëtares së Kosovës”./Lajmi.net/