Ademi nga Suhareka: Po ndërtojmë qendrën e re të futbollit për Kosovën

Në një ngjarje të rëndësishme për sportin kosovar, sot u vendos gurthemeli i stadiumit të ri në Suharekë, një projekt që synon të transformojë infrastrukturën sportive në këtë komunë. Të pranishëm në ceremoninë e vendosjes ishin kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së…

Sport

02/09/2025 16:08

Në një ngjarje të rëndësishme për sportin kosovar, sot u vendos gurthemeli i stadiumit të ri në Suharekë, një projekt që synon të transformojë infrastrukturën sportive në këtë komunë.

Të pranishëm në ceremoninë e vendosjes ishin kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, transmeton lajmi.net.

Sipas Ademit, ky është një “moment historik për sportin dhe gjithë qytetarët e Suharekës”, pasi projekti i stadiumit përmbush standardet e kategorisë 2+ të UEFA-s dhe përfshin 6,583 ulëse. Stadiumi pritet të përfundohet për 750 ditë nga dita e sotme.

Drejtori i departamentit të sportit në MKRS, Ibër Alaj, prezantoi projektin teknik, duke theksuar standardet moderne që do të ofrojë ky impiant për futbollin vendor.

Ademi, në fjalën e tij, përgëzoi klubet e futbollit FC Ballkani, FC Suhareka, si dhe të gjitha ekipet e tjera të meshkujve dhe femrave nga kjo komunë, që do të përfitojnë nga ky investim madhor.

“Ky stadium do të jetë një qendër e re e futbollit, por edhe e krenarisë për gjeneratat e ardhshme,” u shpreh Ademi.

Stadiumi pritet të shërbejë si shtëpi e re për skuadra që tashmë përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, siç është FC Ballkani, si dhe të nxisë zhvillimin e sportit në nivel lokal.

Postimi i plotë:

Sot, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin në detyrë të Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj e vendosëm gurthemelin e stadiumit të ri në Suharekë.
Ky projekt madhor, i shpalosur nga drejtori i sportit në MKRS, Ibër Alaj, parashikon një stadium modern me 6,583 ulëse, sipas standardeve të kategorisë 2+, i cili do të përfundojë brenda 750 ditësh nga dita e sotme.
Ky pa dyshim është një moment historik për sportin dhe gjithë qytetarët e Suharekës.
Urime FC Ballkanit, FC Suharekës, si dhe të gjitha klubeve të futbollit për meshkuj dhe femra të kësaj komune.
Ky stadium do të jetë një qendër e re e futbollit, por edhe e krenarisë për gjeneratat e ardhshme!/lajmi.net/