Ademi nga Reçaku: Fanella e Kombëtares peshon mbi sakrificën e martirëve të lirisë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke theksuar se kjo ngjarje mbetet plagë e hapur, por edhe dëshmi e së vërtetës historike të popullit të Kosovës. Në një postim publik, Ademi ka deklaruar se Reçaku…
Sport
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke theksuar se kjo ngjarje mbetet plagë e hapur, por edhe dëshmi e së vërtetës historike të popullit të Kosovës.
Në një postim publik, Ademi ka deklaruar se Reçaku nuk është vetëm një emër në histori, por simbol i dhimbjes, krenarisë dhe thirrjes për liri dhe drejtësi, transmeton lajmi.net.
“Sot, së bashku me bashkëpunëtorë, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, aty ku dhimbja jonë kombëtare u kthye në thirrjen më të fuqishme për liri dhe drejtësi”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se nga Reçaku bota e kuptoi fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe dhe të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke shtuar se kujtimi i martirëve obligon institucionet dhe shoqërinë që të mos harrojnë dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë.
Kryetari i FFK-së ka lidhur sakrificën e martirëve edhe me përfaqësimin sportiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se çdo sukses i Kombëtares dhe çdo valëvitje e flamurit shtetëror është homazh për të rënët.
“Fanella e Kombëtares sonë peshon rëndë, sepse është e thurur mbi sakrificën e martirëve të Reçakut dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, ka theksuar ai.
Në fund, Ademi ka nderuar me respekt të gjithë martirët dhe dëshmorët që sakrifikuan për lirinë e Kosovës./lajmi.net/