Ademi i bashkohet Maqedonisë

Arijan Ademi ka hequr dorë përfundimisht nga Kroacia, duke iu bashkuar Maqedonisë. Futbollisti shqiptar nuk u ftua në Botëror nga kroatët, prandaj e ndërroi përfaqësuesen.

Sport

16/05/2014 23:00

Arijan Ademi nuk është më pjesë e Përfaqësueses kroate. Futbollisti shqiptar ka mbetur i zhgënjyer që nuk u ftua për Botërorin 2014 dhe ka vendosur ta ndërrojë Kombëtaren.

Tash e tutje, futbollisti i Dinamo Zagrebit do të luajë për Maqedoninë, pasi ka prejardhje nga ky vend. Lajmi bëhet i ditur nga sportivja maqedonase “Makedonski Sport”.

“Kam vendosur të luaj për Maqedoninë”, ka thënë Ademi, i cili do të jetë në dispozicion për eliminatorët e Evropianit Franca 2016.

“Grupi nuk është i lehtë, mirëpo fakti që tre reprezentacione plasohen në Euro 2016 na japin shanse të mëdha të marrim pjesë në finalet e Evropianit”.

“Kam nderin të luaj për Maqedoninë dhe do të jap maksimumin që të luaj për këtë reprezentacion”, përfundoi Ademi, i cili është nga Piroku i Tetovës, por i rritur në Shibenik të Kroacisë.