Adem Demaçi: Mos i dëgjoni politikanët, nuk e kemi lirinë e plotë

Demaçi u tha sot studentëve se po vijnë kohëra kur do të kërkohen njerëz të vërtetë e me dije të vërtetë. Andaj ai u bëri thirrje studentëve që mos të mashtrohen nga përfitimet e përkohshme, e me të cilat, siç tha ai, mund t’i bëni dëm atdheut.

Lajme

19/03/2014 17:48

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi i ka porositur sot studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që në jetën dhe karrierën e tyre të mos luftojnë për interesa personale, por ta ndjekin “rrugën e kombit”.

“​Ndiqeni rrugën e kombit e mos veproni në bazë të interesave personale. Luftoni për të mbrojtur atdheun dhe për të fituar lirinë, sepse ende nuk e kemi fituar lirinë e pavarësinë, duhet akoma përpjekje e unitet në veprime”, ka thënë Demaçi në një ligjëratë në Fakultetin Juridik të UP’së lidhur me rolin e studentëve në shoqëri.

Demaçi tha se po vijnë kohëra kur do të kërkohen njerëz të vërtetë e me dije të vërtetë. Andaj ai u bëri thirrje studentëve që mos të mashtrohen nga përfitimet e përkohshme, e me të cilat, siç tha ai, mund t’i bëni dëm atdheut.

“Nuk e kemi lirinë e plotë, nuk e kemi pavarësinë e plotë, nuk e kemi sovranitetin e plotë. Mos i dëgjoni ju politikanët çka thonë, ata thonë për të arsyetuar kolltuqet e veta, po jemi në rrugë, në një rrugë që nuk ka kthim, në një rrugë e cila e ka kaluar atë majën e problemeve tona dhe përpjekjeve tona që mos të kthehemi prapa kurr, do të thotë jemi në rrugën e realizimit të lirisë, të pavarësisë, të sovranitetit, po kërkohen ende përpjekje të pareshtura”, ka thënë ai.

E për vitet e tija të studimeve, Demaçi i cilësoi ato si ndër vitet më të mira e më të vlefshme në jetën e tij.

“Pata fat që e mora rrugën e kombit, rrugën e atdheut, pavarësisht sipas disave që nuk shohin përtej hunde edhe mendojnë që jeta është vetëm zëfke e kënaqësi e tjera-tjera, kurse vet nuk sakrifikohen për të mirën e kombit, ata thonë se ato janë vitet e humbura, ato janë vitet më të mira, vitet më të lumtura, vitet më të gëzuara që i kam kaluar sepse e kam ditur që në fund të tunelit është atje rruga e cila na shpie drejtë lirisë sonë”, ka thënë ai.

Demaçi i ftoi studentët që mos të humbin kohë me gjëra të kota, por të zgjedhin programet që i bëjnë të aftë për të kontribuar në atdhe. Kjo ligjëratë u organizua nga organizata studentore “Qendra për të Rinjtë e Kosovës”, në të cilën morën pjesë studentë të UP-së nga departamente të ndryshme.